Financat shesin pronat e sekuestruara

Pronat e sekuestruara nga aktivitetet e paligjshme janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave. Gjithsej janë 7 prona, me vlerë 270 milionë lekë ose 2 milionë euro. Pronat ndodhen në qytetet e Durrësit, Tiranës, Sarandës dhe Lushnjës.
Vlera më e madhe në lekë i takon një ullishte në Durrës, e cila del në ankand me vlerë 111 milionë lekë. Gjithashtu me vlerë respektivisht 44.8 dhe 74.5 milionë lekë u takojnë dy parcelave tokë po në Durrës.
Ndërsa një makinë “Mitsubishi-Pajero” e sekuestruar në Tiranë, ka dalë në shitje për 115 mijë lekë.
Ankandi për blerjen e tyre do të zhvillohet më 11 janar të vitit 2017. Sipas kritereve të garës në ankand mund të marrë pjesë çdo person fizik apo juridik i interesuar.
Për blerje me ankand duhet të paraqitet një kërkesë me shkrim për blerjen e objektit apo ndërmarrjes e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave, mandatpagesa apo garancia bankare në origjinal që vërteton derdhjen apo ngurtësimin e 20% të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave, si dhe dokumentet e identifikimit.
Vitet e fundit pasuritë e sekuestruara në të gjithë vendin janë miliona euro, por ende sot e kësaj dite nuk ka një regjistër dhe transparencë sesi administrohen pasuritë e konfiskuara. Përkundrazi edhe pasi është vënë sekuestro, pasuritë janë shfrytëzuar nga të afërm të personave, ndaj të cilëve është aplikuar masa.
Deri më tani, as Ministria e Financave dhe as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk kanë të publikuar raporte dhe bilance të gjendjes së miliona euro pasuri që janë sekuestruar dhe konfiskuar ndër vite.