FIFA publikon 3 finalistët për çmimin “Trajneri i Vitit”

Çmimi i FIFA-s “Trajneri i Vitit” për 2016-n ka njohur tashmë 3 finalistët e tij. Pas votave të shumta të fansave të futbollit në faqen e internetit “FIFA.com”, institucioni qeverisës i futbollit botëror ka publikuar emrat e 3 kryesuesve.
Trajneri kampion i Anglisë në drejtimin e Leiçesterit, Klaudio Ranieri, trajneri fitues i Ligës së Kampionëve në drejtimin e Realit të Madridit, Zinedin Zidan, si dhe trajneri kampion i Europës në drejtimin e Portugalisë, Fernando Santos, do të garojnë me njëri-tjetrin për të fituar çmimin prestigjioz.
Italiani, francezi dhe portugezi arritën suksese mjaft të rëndësishme gjatë këtij viti që po mbyllet, çka bëri që dhe fansat të mos kishin dyshime në hedhjen e votës së tyre.
“FIFPro”, unioni botëror i futbollistëve dhe FIFA kanë shpallur dje 55 kandidatët për formacionin më të mirë të vitit.
11-shi do të përzgjidhet nga votat e më shumë se 25 mijë futbollistëve mbi 70 vende të botës. Secili prej tyre ka të drejtë të zgjedhë një portier, katër mbrojtës, tre mesfushorë dhe tre sulmues.
Formacioni më i mirë do të shpallet më 9 janar 2017 në Zyrih, në ceremoninë ku do të jepen edhe çmimet e tjera nga FIFA, mes tyre edhe ai për futbollistin e vitit.