Federata dënon Agueron dhe Fernandinjon

Serxhio Aguero do të mungojë për katër ndeshjet e ardhshme të Mançester Sitit. Dënimi është dhënë nga Federata Angleze e Futbollit pas ndëshkimit të lojtarit me karton të kuq për faullin kundër David Luiz, nga i cili erdhi si pasojë edhe zënka masive me lojtarët e Çelsit. Në atë zënkë u përfshi edhe Fernandinjo, i cili u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq, pasi i vuri duart në fyt Fabregasit dhe e shtyu atë mes tifozëve.
Ndërkohë, do të ketë hetim për të dy skuadrat dhe dënime të mundshme për ta, pasi nuk arritën të ndalonin sjelljet e pahijshme të lojtarëve të tyre. Edhe Fabregas mund të përballet me pasoja, sepse pamjet filmike tregojnë se ai goditi Fernandinjon, duke sjellë reagimin e pakontrolluar të brazilianit. Aguero do të mungojë në ndeshjet e Sitit kundër Leister, Uotford, Arsenal dhe Hall, ndërsa Fernandinjo do të jetë i gatshëm për ekipin e tij për këtë ndeshje të fundit.