Erdhe si shpëtimtar, po ikën si varrmihës

Arben RISTANI

Erdhe si shpëtimtar e po ikën si varrmihës i ëndrrës, shpresës dhe besimit të shqiptarëve.
Të kuptoj që sje i kënaqur nga vetja, por kush ta fal që e ke zhytur Shqipërinë në mjerim, krim, drogë dhe korrupsion.
Të kuptoj që sje i kënaqur nga vetja se ndoshta do kishe dashur të hapje më shumë ekspozita, të promovoje më shumë libra, të shihje më shumë ndeshje të NBA, apo inspektoje stadiumet më të famshme të Europës.
Ndoshta do kishe dashur më shumë përfitime nga tenderat dhe koncesionet. Në fund të fundit ky ishte dhe qëllimi i qeverisjes tënde.
Rendjen pas qejfeve të tua e paguan shtrenjtë qytetarët. Taksat u rritën, çmimi i energjisë dhe naftës po ashtu, varfëria dhe papunësia pllakosen kudo.
Sot duhet të rëndonin në ndërgjegjen tënde vetvrasjet për faturën e energjisë, familjet e pashpresa që enden nëpër kampet e refugjatëve në Gjermani, Holandë etj., mijëra bizneset e mbyllura nga arroganca dhe arbitrariteti i “shtetit” tënd.
Duhet të rëndonin në ndërgjegjen tënde ata fëmijët e mitur dhe prindërit e tyre që trajtohen si skllevër në arat e kanabisit, vdekjet nga shëndetësia e munguar e sorollatjet e të sëmurëve pa gjetur zgjidhje.
Sado të përpiqesh me propagandë e gjithfarë marifeti, nuk do arrish të manipulosh të vërtetën.
Sje asgjë tjetër veçse si ai vrasësi gjakftohtë dhe me paramendim, që bën si i penduar, por që në fakt, njësoj do të vepronte sa herë t’i jepej mundësia.
Erdhe si shpëtimtar e po ikën si varrmihës i ëndrrës, shpresës dhe besimit të shqiptarëve.