Cila do të jetë skuadra antiJuve?

Cila do të jetë skuadra antiJuve? Ekipi i Romës feston fitoren e katër radhazi në derbi kundër Lazios, nga ana tjetër Milani po i kënaqet një bomberi si Lapedula duke hequr qafe dhe pengesën Crotone. Pavarësisht se kuqezinjtë nuk shkëlqyen ata janë aty në vendin e tretë, 32 pikë të grumbulluara aq sa verdhekuqtë e vendit të dytë. Të dy skuadrat kanë 4 pikë distancë nga Juventusi kryesues. Cili do të jetë rivali i vërtetë i bardhezinjve, ndoshta do të mund të kuptohet të hënën e ardhshme, kur Roma dhe Milan do të përballen me njëri-tjetrin në “Olimpico”. Të dy ekipet janë duke kaluar një moment pozitiv.
Futbollistët e Luciano Spalettit arritën të triumfonin në derbi, falë golave të mesfushorëve Kevin Strootman dhe Radja Naingolan. Ata festuan dhe rrjetat e tyre të para në një derbi. Holandezi Strootman, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në vitin 2014, duket se e ka lënë pas këtë moment të hidhur dhe tashmë fokusi i tij është kampionati. Këtë fakt ai e shprehu dhe para mediave, duke deklaruar se si fillim duhet të mundim Milanin e më pas të mendojmë për Juventusin. Verdhekuqtë kanë sulmin më të mirë në kampionatin italian, me 35 gola të realizuara. Ndërkohë që nga kampi tjetër, ai i Milanit, do të udhëtojnë në transfertën e “Olimpicos” me një bilanc pozitiv. Në pesë sfidat e fundit “Djalli” ka katër fitore dhe 1 barazim. 32 pikë në 15 javët e para të kampionatit, Milani nuk i arrinte që nga sezoni 2010-2011. Kështu që e hëna e ardhshme po pritet me interes të madh, për të parë se kush do të jetë rivali i Juventusit për këtë sezon.