CAS lë në fuqi pezullimin për Sepp Blatter

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës konfirmoi këtë të hënë vendimin e marrë nga Komisioni i Apelit në FIFA për pezullimin e ish-presidentit të FIFA-s, Sep Blatter nga të gjitha aktivitet sportive për 6 vitet e ardhshme.
Anëtarët e shkallës më të lartë të drejtësisë sportive vendosën ta hidhnin poshtë apelimin e Blatter, i cili është akuzuar për një pagesë të paligjshme prej 2 milionë frangash zvicerane për llogari të ish-presidentit të UEFA-s, Michel Platini për një shërbim konsulence në vitet 1998-2001.
Për këtë akuzë Blatter u detyrua të jepte dorëheqjen nga FIFA-për të mos u lejuar më pas që të mbante një post drejtuesi në organet sportive për një periudhë 6-vjeçare.
Zvicerani 80-vjeçar deklaroi pas këtij vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv se gjatë 41 viteve në FIFA kishte mësuar që në sport mund të fitosh dhe të humbasësh. Duke parë sesi rrodhën ngjarjet, Blatter theksoi se nuk priste të ndodhte ndryshe, por gjithsesi ishte i kënaqur për kontributin që kishte dhënë për futbollin dhe FIFA-n për më shumë se 4 dekada.