Binomi i hajdutëve Rama-Çela lë Tiranën në errësirë, anullohet derbi

Energjia elektrike u ndërpre mbrëmë edhe gjatë ndeshjes Tirana-Partizani, ndërsa gjysma e kryeqytetit ndodhet pa drita. Në minutën e 63 të derbit kryeqytetas është ndërprerë energjia elektrike, ndërsa tifozët kanë ndezur dritat e telefonit për të krijuar idenë e dritave të emergjencës. Nuk ka shpresë për derbin, por as për qytetarët e Tiranës që vazhdojnë të jenë në errësirë dhe në mungesë të energjisë elektrike. Ndërkohë qytetarët e Tiranës i janë kthyer qirinjve në këtë natë të ftohtë dhe shumë dyqane kanë ndezur gjeneratorët. Kjo është Tirana 2016, një pamje që i ngjan atyre të viteve 2000 kur kishte vetëm 4 orë drita.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka pranuar se ka një defekt në rrjetin energjetik, duke bërë që disa zona në Tiranë të jenë pa energji elektrike. OSHEE thekson se ndërprerja e energjisë u bë pas një defekti në nënstacionin qendër. Ndërkohë, trajneri i Tiranës Mirel Josa ka deklaruar se, duhet të merren masa për të mos patur ndërprerje të energjisë elektrike. “Duhet të merren masa për gjenerator. Kjo nuk është pjesë që më takon mua. Është ndeshje derbi, që nuk mund të parashikosh shumë gjëra”, tha Josa. Josa tha se, ndihet i çuditur nga kjo situatë. Me humor, trajneri i Tiranës tha me shaka se ne trajnerët paskemi lindur për të vuajtur.
Pas disa minutash shkëputje të energjisë elektrike në derbin Tirana-Partizani, drejtuesit e klubit si dhe Federata e Futbollit kanë vendosur që minutat e mbetura të ndeshjes të zhvillohen ditën e nesërme në orën 14:00 të drekës, po në stadiumin “Selman Stërmasi”. Megjithëse energjia është rikthyer, rreth 36 minutat e mbetura të lojës do të zhvillohen nën dritën e diellit. Hyrja do të jetë e lirë për këdo që do ta ndjekë derbin.
Ndërkohë, pas ndërprerjes së energjisë elektrike në stadium, Klubi i Korabit ka marrë një vendim që ndeshjet në vijim të kampionatit mos t’i luajë në stadiumin “Selman Stërmasi” siç ka bërë deri tani. Drejtuesit e Korabit kanë nënshkruar një kontratë të re që ndeshje deri në fund të kampionatit do t’i luajnë në stadiumin e Kukësit “Zeqir Ymeri”.
Pavarësisht mosnjoftimit nga ana e drejtuesve të stadiumit, për ndeshjen e sotme, OSHEE mori përsipër dhe u angazhua për suport të dhënies së sigurisë së dyfishtë për furnizimin me energji elektrike, por punonjësit tanë nuk janë lejuar! Aktualisht kanë marrë energji elektrike zonat: Selvija, ish-Blloku, qendra ku janë ministritë, rruga e “Durrësit”, Blloku i Ambasadave. Vijojnë të mbeten pa energji një pjesë e “Vasil Shantos”, “Myslym Shyri”, etj”, citohet në njoftimin e OSHEE-së.