Bernard Cazeneuve, emërohet kryeministër i Francës

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, është emëruar në postin e kryeministrit të Francës.
Presidenti François Hollande i besoi atij qeverinë pas vendimi të kryeministrit të deritashëm, Manuel Valls, për të dhënë dorëheqjen, në mënyrë që të konkurrojë në zgjedhjet paraprake të Partisë Socialiste për t’u bërë kandidat i saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Valls, 54-vjeçar, vendosi të konkurrojë për të trashëguar presidentin Hollande, i cili javën e kaluar tha se nuk do të kërkojë një mandat të dytë.
Si ministër i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ishte në krye të përballjes me ekstremistët islamikë që vranë në disa sulme gjatë dy viteve të shkuara mbi 200 veta, përfshirë edhe sulmet e bashkërenduara të vitit të kaluar në Paris, që lanë pas vetes 130 të vrarë.
Nëse Valls fiton në zgjedhjet paraprake të socialistëve në muajin janar, do të përballet me ish-kryeministrin, François Fillon, kandidatin 62-vjeçar të Partisë Republikane të qendrës së djathtë, i cili javën e shkuar fitoi në zgjedhjet paraprake të kësaj partie.
Zgjedhjet presidenciale franceze mbahen në pranverë.