Berisha: Me zgjedhjen e Trump bota do të ndryshojë

Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar zgjedhjen e Trump si “Njeriun e vitit” nga prestigjiozja “TIME” si një lajm frymëzues, ndërsa shtoi se presidenti i zgjedhur amerikan drejtoi revolucionin paqësor më të madh në histori pas rënies së Perdes së Hekurt.
“Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, udhëheqësi i revolucionit botëror paqësor më të madh pas rënies së perdes së hekurt, zgjidhet nga revista prestigjioze ‘TIME’ si ‘Personi i vitit 2016’! Lëvizja Trump është njëra prej lëvizjeve revolucionare paqësore më të fuqishme në historinë e botës, që do të udhëheqë këtë të fundit drejt hapësirave të dekadave që vijnë.
Revolucioni paqësor demokratik, që shembi Murin e Berlinit, ridimensionoi hapësirën e lirisë në botë dhe plagosi për vdekje të majtën botërore, që me dogmën mbi të cilën mbështetet, ka një problem madhor me të vërtetën.
Lëvizja Trump, që në këtë aspekt është si të thuash një cunam, vazhdim i asaj lëvizje në hapësira të tjera, do ta përcjellë të majtën në arkivat e historisë dhe ky është një shërbim madhor për njerëzimin.
Në të vërtet, revolucioni botëror Trump fillon në dheun e revolucioneve paqësore të qytetërimit perëndimor, Mbretërinë e Bashkuar, me votën për Brexit, kulmoi me fitoren e lëvizjes demokratike më të fuqishme në historinë e kohërave moderne, lëvizjen Trump, vazhdoi në Itali me përmbysjen e ‘çmontuesit’ Mateo Renzi, që çmontoi veten dhe do të vazhdojë pandalshëm në Shqipëri dhe vende të tjera. Pas inaugurimit të udhëheqësit të kësaj lëvizje, Donald Trump më 20 janar 2017 në postin e njeriut më të fuqishëm të planetit, bota nuk do të jetë kurrë më ajo që ishte më parë. Pjellë e lirisë, aspiratave dhe idealeve të saj, të njerëzve, kjo lëvizje, ndofta, si dhe vetë reformacioni dikur, do të frymëzojë, promovojë reforma të mëdha që do të rrisin transparencën dhe stabilitetin, në interesin më të mirë të qytetarëve në mbarë botën!”, shkruan Berisha në Facebook.