Banorët e përmbytur në ditën e 6 të grevës së urisë: Shteti na ka harruar

Familjet e përmbytura në zonën e Bregut të Lumit kanë hyrë në ditën e 6-të të grevës së urisë. 22 persona të rritur bashkë me fëmijët e tyre të vegjël kanë më shumë se tre javë që jetojnë në të ftohtin e palestrës së shkollës “Gramoz Palushi” në Babrru. Të ngujuarit thanë se do të përshkallëzojnë nga nesër grevën e urisë deri në akte vetëflijimi nëse qeveria nuk merr masa urgjente për t’i strehuar në banesa.
Nga jashtë palestra ruhet 24 orë nga dy punonjës policie ndërsa zinxhiri i trashë me dry në portën hyrëse nuk hapet veçse kur vijnë gazetarët ose ekspert nga Avokati i Popullit. Një strehim nga shteti dhe kredi me interes të ulët afatgjatë, ishin dy nga kërkesat që familjet bënë në drejtim të shtetit. Prej të ftohtit të ditëve të fundit 4 persona kanë përfunduar në urgjencën e QSUT.
Këto familje, pas përmbytjeve të javëve të fundit, u futën nga Bashkia e Tiranës në një palestër, përkohësisht, por më pas ato u lanë aty dhe asnjë zyrtar vendor nuk erdhi t’i takonte dhe t’i jepte zgjidhje për shtëpitë që u bënë të pabanueshme.
Përgjigja e vetme, por jo ajo që prisnin grevistët është një letër e ardhur nga Kryeministria, e cila ia delegon përgjegjësinë për strehimin e familjeve të përmbytura, ministrive të linjës dhe Bashkisë Kamëz. Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të grevës së tyre deri në akte vetëflijuese, duke i lënë afat qeverisë mesditën e ditës së premte.
Lidhur me përmbytjet që u shkaktuan, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, tha një javë më parë se, “kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së financimeve të projekteve të Bashkisë nga qeveria. Bashkia Kamëz i ka dërguar qeverisë në mënyrë të përsëritur dhjetëra kërkesa për financimin e projekteve të kanalizimeve të ujërave të ndotura (KUN) në Bathore, Frutikulturë, Valias, Laknas, në Paskuqan 1, Paskuqan 2, në Babrru. Por zero financime ka pasur deri tani nga ana e qeverisë, çfarë ka bërë që të ndodhin edhe këto përmbytje”.