Bacca ose Adriano do të “sakrifikohen” në janar

Tratativa për kalimin e aksioneve të Milan nuk po zhbllokohet, me fazën finale që u shty për në fund të shkurtit, kur merkatoja e janarit do të ketë përfunduar. Padyshim që një shtyrje e tillë do të ketë efektin e saj në merkaton e dimrit dhe siç bëjnë të ditur mediat italiane edhe ajo e janarit ashtu si merkatoja e verës së kaluar, do të bazohet në vetëfinancim, që do të thotë se mund të blihen lojtarë të rinj vetëm nëse shitet dikush nga futbollistët aktualë. Milani dhe Finivest që ka pronësinë aktuale duhet të bëjë propozimet, ndërsa kinezët që do të blejnë klubin duhet të japin miratimin e tyre.
Galliani e tha qartë, “merkaton do ta bëj sërish unë, por çdo vendim duhet dakordësuar”. Vështirësi e dyfishtë kjo për administratorin e deleguar, i duhet të mbyllë transferime pa shpenzuar asnjë euro dhe të ketë miratimin e gjithë palëve. Në këtë mënyrë përsëritet situata e verës së kaluar me mediat italiane që shkruajnë se Carlos Bacca duhet sakrifikuar në merkato për të krijuar fondin e nevojshëm, por ende asnjë klub, madje as PSG nuk ka bërë ndonjë ofertë konkrete. Një tjetër kandidat për merkaton në dalje mund të jetë Luiz Adriano që pëlqehet ende nga disa klube në Rusi e Kinë, ndërsa për emrat e tjerë të mundshëm si De Scigglio apo Niang është ende herët për të folur.
Rreziku konkret është që Milani të përjetojë një periudhë stanjacioni në merkaton e janarit, që sigurisht nuk ndihmon trajnerin Montella dhe skuadrën. Së shpejti kompania kineze që do të blejë Milanin, Sino Europe Sports do të bëjë një komunikatë zyrtare në lidhje me kërkesën formale që do i dërgojë Finivest që u tregua e gatshme nga ana e saj të zgjaste kohën e realizimit të operacionit në shkëmbim të një kësti të dytë apo të një kapari prej 100 milionë eurosh. Në javën e ardhshme, Galliani do të takohet me Marco Fassonen, pikën e referimit të kompanisë kineze, për të diskutuar në lidhje me strategjinë e merkatos së dimrit, si dhe për menaxhimin e lojtarëve aktualë dhe kontratat që duhen rinovuar.