Autogoli i Romanës

Bledi KASMI

Komisioni Europian ka pranuar dje autorësinë e gabimeve në përkthimin e Ligjit të Vettingut, i cili i është dërguar për konsulencë Komisionit të Venecias. Në një njoftim të shkurtër të kësaj zyre në Tiranë thuhet se “institucionet shqiptare janë përgjegjëse për komunikimet zyrtare me palët e treta dhe sigurojnë nën përgjegjësinë e tyre transmetimin zyrtar të dokumenteve ligjore që përbëjnë një pjesë të legjislacionit të brendshëm zyrtar”.
Përgjigja është e shkurtër dhe konçize dhe të krijon përshtypjen se kërkon të shfajësohet nga penalitetet para gjykuesve. Nëse në planin e ndëshkues ligjor kjo përgjigje mund të konsiderohet korrekte, në aspektin moral ajo ngre shumë pikëpyetje mbi misionin Euralius dhe vetë reagimin e zyrës së Komisionit Europian në Tiranë.
Ligji çuditërisht është deformuar në përkthim në ato pika të nxehta që kanë qenë pjesë e debatit mes pozitës dhe opozitës. Në të gjitha rastet “gabimet” janë bërë thuajse me një bisturi perfekte nga përkthyesi “Euralius”. Gabim është nëse bëhet vetëm një herë, por nëse gabimi përsëritet të paktën pesë herë, atëhere ky nuk mund të konsiderohet më gabim. Është një ndërhyrje e pastër që deformon tërësisht ligjin dhe e përafron atë me projektin e qeverisë
Nuk është as rasti i parë që konstatohen gabime të tilla në përkthim.  Gjatë punës së Komisionit të Reformës në Drejtësi janë evidentuar edhe raste të tjera të kësaj natyre. Kjo ka ndodhur edhe dy herë të tjera dhe në të dy rastet përkthimi çuditërisht ka qenë për të deformuar vullnetin konsensual të opozitës duke e përshtatur atë me variantin fillestar të qeverisë.
Përse këto deformime të vazhdueshme nga të njëjtët njerëz? Reagimi i zyrës së Romanës në Tiranë nuk ka asnjë ndjesë për “gabimet”. Ka tone arrogante dhe frike në të njëjtat rreshta. “Ne gabuam dhe faji është i juaji që na besuat”. Kjo është esenca e përgjigjes së zyrës së Komisionit Europian.
Kjo është e vërtetë. Politika dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri janë nxituar duke i dhënë paradhënie besim zyrës së Komisionit Europian në Tiranë. Dhe ky gabim ka ardhur nga respekti dhe besimi që politika dhe institucionet e prekura nga manipulimet kanë tek Bashkimi Europian, pa ditur të bëjnë diferencën se mes Brukselit dhe Tiranës ka një largësi mjaft të madhe.
Është e vështirë që të gjesh përafrime mes bazës dhe degës, mes parimeve dhe interesave në këtë rast. Zyra e Romanës në Tiranë duke dashur të shfajësohet për deformimin në përkthim të ligjit të Vettingut ka bërë edhe një autogol sepse ajo deklaratë tenton të minojë besimin e opinionit në Shqipëri tek institucionet e Bashkimit Europian.
Vetëm pak javë më parë një tjetër rast flagrant i abuzimit me drejtësinë ndodhi në të njëjtat zyra. Misioni PAMECA në varësi direkte të të njëjtës zyrë ndërhynte dhe kërkonte llogari në institucionet e drejtësisë se përse ishin shkelur procedurat në arrestimin e Shullazi dhe bandës e tij duke i dalë në krah vrasësve dhe gjobvënësve.
Ankimim po nga ky institucion ndaj Prokurorisë dhe gjykatave për mbajtjen në burg të përdhunuesit të Kavajës e trafikantit të drogës, Roshi të penalizuar nga ligji i dekriminalizimit. Sërish kjo zyrë në anën e kundërt të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.
Nga Shullazi tek “gabimi” në përkthim i ligjit të Vettingut ka një lidhje dhe ka një person që duhet të japë të paktën një shpjegim; se cilat janë këto koinçidenca ose interesa që ndikojnë që kjo zyrë në Tiranë të bëjë kaq shpesh “gabime” të tilla trashanike politike dhe që gjithnjë për hatër të kreut të qeverisë ?