6 segmente rrugore që do të ndërtohen me koncesion

Duke qenë se fondet publike janë të limituara dhe hapësirat për të marrë borxh të ri për investime gjithashtu, qeveria planifikon të ndërtojë 6 projekte kryesisht të infrastrukturës rrugore me koncesion të formës Partneritet Publik Privat.
Sipas planit të ministrisë këto projekte do të ndërtohen nëpërmjet financimit publik privat deri në vitin 2020, por në rast se nuk gjenden partnerë në investime dhe financime ato do të shtyhen.
Gjithashtu në rastin e forcave madhore dhe të një krize ekonomike në Shqipëri ose në Ballkanin Perëndimor apo BE plani i investimeve të parashikuara në rrugë do të ripërshtatet për pas vitit 2020, ka argumentuar Ministria e Transportit në lidhje me planin 4-vjeçar të investimeve në rrugë sipas formës me partneritet publik privat.
Bëhet fjalë që të jepet me koncesion PPP, dyfishimi i segmentit të rrugës Fushë-Krujë-Thumanë. Projekti i dytë është by pass-i i Tiranës, i treti është ndërtimi i by pass-eve të Tepelenës, Elbasanit, Lezhës dhe Gjirokastrës. Projekti i katërt është përfundimi i urës dhe tunelit në Morinë-Kukës. Projekti i pestë është dyfishimi i rrugës Milot-Rrëshen dhe projektimi i detajuar për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit.
Për vitin që vjen sipas programimeve në projektbuxhet vepra që merr “pjesën e luanit” nga fondet publike është rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cila vitin e ardhshëm financohet me 2.73 miliardë lekë ose mbi 22 milionë dollarë. Ky aks ka nisur vitin e kaluar dhe sipas programit buxhetor afatmesëm përfundon më 2018-n.
Projekti i dytë me financimin më të madh është sërish në Qarkun e Korçës. Bëhet fjalë për rrugën, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, që në vitin 2017 merr 1.3 miliardë lekë ose mbi 10 milionë dollarë. Edhe ky projekt është ekzistues. Ai ka nisur në vitin 2013 dhe përfundon më 2019-n.
Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Kombit janë dy projekte të tjera që do të vazhdojnë të marrin sërish para nga buxheti. Sipas listës së investimeve, për Tiranë-Elbasan do të shpenzohen 1.25 miliardë lekë, ndërsa për Fushë-Krujë-Milot-Morinë do të paguhen vitin tjetër 1.23 miliardë lekë. Të dy veprat sipas Ministrisë së Financave përfundojnë në vitit 2018.
By pass-i i Vlorës dhe ai i Fierit, do të marrin respektivisht 250 dhe 900 milionë lekë. Të dy veprat vazhdojnë të zvarriten prej vitesh dhe sipas listës së investimeve nuk pritet të përfundojnë para vitit 2019.
Fushë-Krujë-Thumanë dhe Skrapar-Përmet janë dy rrugë projekte të tjera që vazhdojnë, por financimi për to është më i ulët. Në total Ministria e Transportit pritet që vitin e ardhshëm të marrë 27 miliardë dhe pas rrugëve sektori më i financuar janë ujësjellësit që marrin mbi 8 miliardë lekë për vitin e ardhshëm.
Objekte të infrastrukturës rrugore të programuara për t’u ndërtuar me koncesion deri më 2020.
1- Dyfishimi i segmentit të rrugës Fushë-Krujë-Thumanë
2- By pass-i i Tiranës
3- Ndërtimi i by pass-eve të Tepelenës, Elbasanit, Lezhës dhe Gjirokastrës
4- Përfundimi i urës dhe tunelit në Morinë-Kukës
5- Dyfishimi i rrugës Milot-Rrëshen
6- Projektimi i detajuar për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit.