6 aksidente vetëm dje në rrugën e “Kombit”, firma e mirëmbajtjes së rrugëve inekzistente

Vetëm ditën e djeshme janë shkaktuar 6 aksidente rrugore në rrugën e “Kombit”, ndërsa firma që merret me mirëmbajtjen e rrugëve nuk kryen asnjë punim, ndonëse merr miliona lekë. Ky skandal është denoncuar nga një qytetar nga Kukësi, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe fotot e aksidenteve. “Qytetari dixhital denoncon: 6 aksidente vetëm sot në rrugën e “Kombit”, pasi kompania e mirëmbajtjes thjesht nuk ekziston. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot që ka dërguar ai!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Një mëngjes me 6 aksidente që për fat të mirë nuk pati të lënduar. Kjo ndodh nga mosmirëmbajtja e rrugës së “Kombit” nga firma “AEK Munellla” (Zef Kaza). Kjo firmë nuk bën asnjë punim në këtë rrugë, sa mbizotëron akulli e dëbora në këto ditë dimri. Kaza mbrohet nga kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda, i cili ka dhënë çdo tender në këtë bashki për riparim rrugësh dhe pastrim, por asnjë punë nuk është kryer, vetëm marrin lekët e popullit, duke e kthyer Bashkinë në një biznes të vërtetë”, shkruan qytetari.

Tjetër aksident i frikshëm në Lungomare

Një aksident i frikshëm ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:20, në rrugën e njohur si Transballkanikja e Vlorës, ku një automjet ka përplasur një qytetar që lëvizte me biçikletë. Sipas policisë, në vendin e quajtur “Ish-Agjensia e Vjetër” pranë një mobilerie, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin H.B., ka goditur aksidentalisht një burrë rreth të 60-ve, me iniciale E. R, i cili ka mundur të shpëtojë mrekullisht nga përplasja, siç thotë edhe policia.
Banorët atje ankohen se vendi ku ka ndodhur aksidenti është shumë i rrezikshëm, pasi mungon rotondoja, duke u bërë shpeshherë shkak për aksidente. Ndërkaq, grupi hetimor ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për zbulimin e shkaqeve të aksidentit.