500 mijë euro për një konsulent hekurudhash?

Në datën 9 dhjetor pritet të përfundojë afati për dorëzimin e ofertave për tenderin e shërbimit të konsulencës për ndërtimin dhe rehabilitimin e seksionit hekurudhor Tiranë–Rinas–Durrës. Kostoja e këtij tenderi, i cili është shpallur rreth një muaj më parë është 500,000 euro.
Konsulenti do të duhet të jetë një firmë ose një konsorcium firmash me përvojë në:
– Zbatimin e projektit të ngjashme në sektorin hekurudhor;
– Projektimin, prokurimin dhe mbikëqyrjen inxhinierike të projekteve në sektorin hekurudhor të financuar nga institucionet ndërkombëtare, të tilla si: BERZH, Banka Botërore, ADB, etj);
– Sigurinë mjedisore, mbikëqyrjen e projekteve në sektorin e ndërtimit të hekurudhave dhe monitorimin e dispozitave mjedisore dhe sociale, planeve të veprimit etj.
Projekti përbëhet nga dy komponentë: rehabilitimi i linjës ekzistuese Tiranë– Durrës, si dhe ndërtimi i linjës së re që do të lidhë kryeqytetin me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit (TIA).
BERZH është financuesja kryesore e këtij projekti, pasi do të lëvrojë një kredi në vlerën 36.87 milionë euro për llogari të kompanisë hekurudha shqiptare. Kjo kredi do të përdoret për rehabilitimin e 34.7 km të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e linjës së re me Rinasin me gjatësi 7.4 km.
Projekti do të bashkëfinancohet përmes granteve që do të jepen nga Western Balkans Investment Framework (WBIF) për ndërtimin, supervizimin dhe zbatimin e projektit.
Kjo hekurudhë është pjesë e asaj që njihet si “Route 2” e rrjetit bazë të ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor. Ajo do të lidhë qytetin e Podgoricës në Mal të Zi dhe Vlorën në Shqipëri, si një zgjatim i Trans-European Transport Networks (TEN-T) drejt Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e Ndërlidhjes e BE-së (pjesë e së cilës ky projekt është) promovon krijimin e urave ndërlidhëse me rajonin e Ballkanit si një element kyç për zhvillimin ekonomik, rajonal dhe integrimin.