10 pikëpyetjet e mëdha të El Clasico

El Clasico është një nga sfidat më prestigjioze të lojës së futbollit, ndoshta më e ndjekura e historisë dhe e tillë do të jetë edhe këtë të shtunë kur në “Camp Nou”, Reali do të sfidojë Barcelonën në një duel shumë të rëndësishëm për fatet e këtij sezoni. Barcelona kampione në fuqi, ndërsa Reali kryesues i këtij sezoni do të kryqëzojnë rrugët e tyre në 90 minutëshin e parë El Clasico të sezonit. Gjithsesi, pikëpyetjet mbeten pasi në një duel të tillë asgjë nuk është e sigurt. Disa të tilla po i rendisim më poshtë.
1. Barcelona vazhdon të jetë e favorizuar në kuotat e basteve të bukmejkërsave, por statistikat favorizojnë Realin, pasi aktualisht është skuadra e vetme që nuk ka regjistruar asnjë humbje në La Liga. “Los Blancos” po tregojnë se janë ekipi më në formë në kontinent dhe ndoshta kuotat duhet të ishin disi më bujare për ta.
2. A do të jetë Andres Iniesta gati për të zbritur në fushën e lojës? Mesfushori mungon që prej 22 tetorit për shkak të një dëmtimi në gju dhe minutat për të në El Clasico mund të jenë me pikatore, pasi mundësitë që të aktivizohet që në pjesën e parë janë të vogla.
3. A mund të luajë Cristiano Ronaldo si një 9 i deklaruar? Në një pozicion të tillë Zidane e aktivizoi në derbin me Atleticon dhe CR7 ia shpërbleu me tri gola. Gjithsesi, pozicioni në fushë pak rëndësi ka për luzitanin, i cili është përherë i lirë të luajë në çdo pozicion të fushës, pasi klasi i tij i bën punë Realit në çdo centimetër.
4. Pikëpyetja më e madhe është se cili lojtar do ta zëvendësojë uellsianin Gareth Bale. Lucas Vazquez mbetet emri më i lakuar, por Zidane do t’i japë edhe detyra mbrojtëse pasi shpeshherë, i riu spanjoll duhet të tërhiqet edhe në mesfushë.
5. A do të jetë MSN sulmi fatal edhe në këtë El Clasico? Shifrat flasin pak ndryshe sepse gjatë këtij sezoni, treshja e famshme nuk ka arritur të ngrihet në nivelet e viteve të shkuara, me përjashtim të Lionel Messit, i cili vazhdon të mbajë mbi shpatullat e tij fatet e Barcelonës. Në krahun tjetër, Suarez po kalon një moment jo shumë pozitiv, ndërsa magjitë e Neymar nuk po funksionojnë.
6. Kush do ta ketë kontrollin e lojës? Tradicionalisht katalanasit kanë preferuar ta mbajnë topin, por në epokën Luis Enrique ky nuk ka qenë një prioritet dhe gjatë ndeshjeve të fundit është vënë re që Barcelona e ka ulur ritmin në këtë aspekt dhe nuk është aspak çudi që për herë të parë pas shumë vitesh, Reali i Madridit të dominojë edhe në mbajtjen e topit.
7. Kureshtja është e madhe edhe për debutuesit në këtë El Clasico. Paco Alcacer është emri që ngjall më shumë interes, pasi është ai alternativa kryesore për të hyrë në mes të treshes MSN. Impakt pozitiv mund të ketë edhe Samuel Umtiti, ndërsa në krahun madrilen, Mateo Kovaçiç do të tërheqë jo pak vëmendje.
8. Pyetja e pashmangshme është, cili prej Messit dhe Ronaldos do ta vendosë këtë duel? Argjentinasi ka dështuar në misionin për të gjetur rrjetën në 5 ndeshjet e fundit. Ai numëron 400 minuta pa gol ndaj Realit, ndërsa Cristiano ishte njeriu që i dhuroi Realit fitoren në duelin e fundit të zhvilluar në impiantin katalanas.
9. Pikat e dobëta të dy skuadrave. Barcelona është treguar e brishtë në mesfushë me Sergi Busquets që nuk arrin të gjejë harmoninë me shokët e repartit, ndërsa në krahun tjetër, Sergio Ramos po shihet si hallka më e dobët e mbrojtjes madrilene, pasi ka treguar pasiguri në zonën e rreptësisë gjatë muajve të fundit.
10. Nëse Reali i Madridit fiton, atëherë për Barcelonën do të jetë një “game over”. 9 pikë diferencë do të ishin shumë për katalanasit, pasi “Los Blancos” kanë treguar se pika më e fortë e sezonit të tyre është vazhdimësia në rezultate.