Vrasës e trafikantë të zgjedhurit e Ramës për fushatën 2017

Rama ka zyrtarizuar se cilët do të jenë në krye të fushatës elektorale të PS në të gjitha qarqet e vendit. Ajo që bie në sy është se pjesa më e madhe e të përzgjedhurve të Ramës janë nga bota e errët e krimit. Vrasës, trafikantë droge, përdhunues dhe individë me rekorde të tjera kriminale janë përfshirë në këtë listë që do të drejtojë fushatën elektorale të PS në qarqe të ndryshme.
Megjithëse ka një ligj dekriminalizimi, Rama po dëshmon falsitetin e këtij ligji përpara makinerisë së krimit që po ofrohet për të grabitur zgjedhjet parlamentare. Reagimet e fundit të Shteteve të Bashkuara përmes ambasadorit të saj në OSBE dhe bllokimi i hapjes së negociatave nga ana e Gjermanisë kanë pasur si motiv kryesor moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, inkriminimin e institucioneve me kriminelë, si dhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Rama ka bërë zgjedhjen e tij. Mes Europës dhe SHBA Rama ka zgjedhur krimin. Duket sikur me këtë zgjedhje mendon se e ka të sigurtë formulën e suksesit për zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, ajo që harron është se nuk dihet se ku do të përfundojë Rama deri në ditën e zgjedhjeve.

Teqja në krye të fushatës në Peqin

Edurim Teqja nuk është një emër i panjohur në opinionin publik shqiptar, përkundrazi. Është personi përgjegjës së bashku me Erjon Veliajn për vdekjen e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, Ardit Gjoklaj. Që prej gushtit të këtij viti, Prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe megjithëse kanë kaluar më shumë se tre muaj, ai vazhdon të bredhë i lirë, madje jo vetëm kaq. Edi Rama së bashku me Taulant Ballën kanë vendosur që ai të drejtojë fushatën elektorale në Peqin, ku vazhdon të jetë kryetar i Partisë Socialiste. Nuk ka rëndësi se mban përgjegjësi direkte për vrasjen e një fëmije, nuk ka rëndësi se është një person që për asnjë ditë nuk ka provuar të përballet me drejtësinë, nuk ka rëndësi se e kish kthyer landfillin e marrë në bazë të aferave të dyshimta korruptive me Veliajn, rëndësi ka që ai të blejë ca vota në zonën e Peqinit për t’i siguruar vazhdimësinë e pushtetit të rilindjes.
Edurim Teqja u shpall fajtor dhe nga data 8 gusht e këtij viti i fshihet drejtësisë. Edi Rama, jo vetëm që s’ka vendosur që ta dërgojë para dhënies llogari, por me një paturpësi akoma më të madhe vazhdon ta mbajë kryetar të PS-së së Peqinit, kur minimumi që duhej të bënte ishte ta shkarkonte. Mesa duket tërheqja e kryeministrit ndaj personave me precedentë kriminalë është më e fortë dhe se vetë pasioni i tij për vizatimin. Ai që duhet të bëjë kryeministrin, po tregon çdo ditë e më shumë se mund të respektojë çdo gjë, vetëm ligjin apo marrëveshjet jo. Kujtojmë këtu se në nëntor të vitit të kaluar u miratua marrëveshja, e cila solli më vonë votimin e ligjit për dekriminalizimin. Ky ligj deri më tani dhe pse ka kaluar një vit që nga 20 nëntori i vjetshëm s’ka ndërmend të zbatohet nga kryeministri përkundrazi. Detashmentet kriminalë po thirren dhe po fuqizohen akoma më shumë. Paratë e përfituara nga Erjoni i fiqve dhe Edurim Teqja, me vdekjen e Arditit do të përdoren për të blerë vota në Tiranë e Peqin.

Kavaja dhe Dibra të tjerë të akuzuar

Dhe jo vetëm kaq! Po t’i hedhësh një sy listës do të shohësh se në fushatën elektorale për t’i kërkuar votën njerëzve në favor të Rilindjes, janë vendosur njerëz me rekorde kriminale. Rast flagrant është dhe ai i kreut të PS-së Kavajë, Gentian Daja, i akuzuar për trafik droge në zonën e Kazertas në Itali, në vitin 2010 është gjithashtu një tjetër i dënuar që së bashku me kryetarin e Bashkisë Kavajë Roshin, do të kërkojnë votat në Qarkun e Durrësit në krah të Vangjush Dakos dhe Sajmir Tahirit. Kavaja nga ana tjetër është shembulli më i mirë se si një kastë mafioze, kanë marrë peng një qytet dhe njerëzit e tij. Bëhet fjalë për Elvis Roshin, kryetar i Bashkisë Kavajë dhe Gentian Dajën, drejtor i Transporteve. Njëri i dënuar për përdhunim dhe tjetri për trafik droge të dy të stimuluar dhe ngritur në detyra të larta shtetërore me bekimin e Edi Ramës. Mesa duket, kryeministri e ka fort për zemër të vendosë në krye të transporteve trafikantë droge. A nuk mbante të njëjtën detyrë dhe Klement Balili i Sarandës?! Një tjetër emër që figuron si i dënuar, është Afrim Mikli i dënuar në vitin 2011 në kohën, kur ishte kryetar komune në Muhur të Dibrës për rrahjen e kunatit të tij, të cilit i ka nxjerrë syrin. Sot ky mban postin e kryetarit të Partisë Socialiste të Qarkut Dibër. Në zgjedhjet e fundit lokale, pas skandalit të Shukriut, Afrim Mikli dha një kontribut të madh për blerjen e votave në favor të kandidatit rilindas, Muharrem Rama, në zgjedhjet e shtatorit në Peshkopi. Madje ekziston dhe një dosje e hapur në Prokurori për zgjedhjet e 11 shtatorit, ku evidentohet fakti se ky individ së bashku me Ymer Lalën i njohur dhe i skeduar nga policia si person me precedent penalë shpërndanin para në këmbim të votës në zona dhe fshatra të ndryshme të Dibrës.

I shpalluri në kërkim për vrasje në inaugurimet e qeverisë

Më 10 tetor të këtij viti nënkryetari i PD, Edi Paloka, ka bërë publike një video dhe foto ku shfaqet Edurim Teqja, mes tri deputetëve të Partisë Socialiste, rreth 1 muaj e gjysmë, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e 17-vjeçarit në Sharrë. Sipas Palokës, Edurim Teqja është parë nën shoqërinë e tri deputetëve të majtë gjatë një kronike televizive. “Në këtë video e në këto foto, ju mund të shihni kryetarin socialist të Edi Ramës në Peqin, Edurim Teqja, duke marrë pjesë në një fillim punimesh, në datën 24 shtator, një muaj e gjysmë, pasi është shpallur në kërkim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Kryetari i Ramës në Peqin, partneri i Erjon Veliajt në biznes, i kërkuar nga drejtësia si përgjegjës për vdekjen e një 17-vjeçari të pafajshëm, shfaqet mes deputetëve, Evis Kushi, Aqif Rakipi dhe Anastas Angjeli. Del dhe në televizion ky i kërkuar nga drejtësia, në një kronikë lajmesh në media lokale. Po pse njeriu i Edi Ramës, partneri i Erjon Veliajt është mbi ligjin? Pse e sfidon ai hapur urdhrin e kërkimit? Pse nuk është në burg, duke u hetuar për krimin e Sharrës, por shëtit i lirë dhe merr pjesë në inaugurime, del në ekran dhe tallet me çdo shqiptar që kërkon drejtësi për Arditin, që kërkon barazi para ligjit? Përgjigjja është e thjeshtë. Sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për njeriun e tij, për kryetarin e tij në Peqin. Është Edi Rama që e ndalon ligjin të funksionojë për partnerin në biznes të Erjon Veliajt. Është Edi Rama që ka ndërtuar këtë shtet kriminal, që nuk është në krah të 17-vjeçarit të pafajshëm, që nuk është në krah të qytetarëve, por është në krah të shfrytëzuesve të të miturve, në krah të banditëve, në krah të oligarkëve të korruptuar, në krah të trafikantëve e vrasësve”, tha Paloka.