Vdekja e 18-vjeçarit, Prokuroria nis hetimet për Lungomaren

Prokuroria e Vlorës do t’i kërkojë Gjykatës të vendosë masën “arrest me burg” për tre persona të arrestuar pas aksidentit në aksin Ujë i Ftohtë-Skelë, në të cilin humbi jetën 18-vjeçari Kristo Panajoti dhe u plagos drejtuesi i mjetit. Nga njëra anë Prokuroria dyshon se dy inxhinierët e firmës, Tomorr Cena dhe Ilirian Tahmazi kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, duke qenë se gjatë punimeve të firmes “Xh@m”, e nënkontraktuar nga një firmë greke, nuk kishin vendosur tabela paralajmëruese për përdoruesit e rrugës.
Të pyetur nga Prokurorja e çështjes, përgjegjësi i sigurimit teknik dhe inxhinieri zbatues i projektit kanë deklaruar se në këtë aks kishte tabela. Por kjo dëshmi shihet si e dyshimtë nga akuza për sa kohë nga verifikimi në vendngjarje është konstatuar se tabelat janë vendosur një ditë pas aksidentit tragjik.
Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar ekspertët të inspektojnë sërish jo vetëm vendngjarjen, por të gjithë aksin ku kryhen punimet e Lungomares, për të konfirmuar nëse është i siguruar ky perimetër jo vetëm për automjetet që qarkullojnë aty, por edhe për kalimtarët.
Në funksion të hetimeve, Prokuroria ka edhe dëshminë e shoferit Petraq Beja, i cili po kurohet në spital nën arrest për shkelje të rregullave të qarkullimit. Beja insiston se shkak i aksidentit është bërë një gropë në mes të rrugës për praninë e së cilës nuk ishte paralajmëruar me tabela. Por, siç edhe ai e ka pranuar, edhe sipas Prokurorisë, mjeti që ai po drejtonte ishte me shpejtësi tej normave të lejuara në një aks në punim e sipër.