Vdekja e 18-vjeçarit, oficeri i policisë presion shoferit: “Firmos që nuk sheh mirë”

Shefi i hetimit të aksidenteve në Vlorë i bën presion shoferit të aksidentit, ku humbi jetën 18-vjeçari Kristi Panajoti në Vlorë, që të firmosë se nuk sheh mirë. Bëhet e ditur se pas presioneve, ai ka përfunduar në pranga. Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Vlorë, dje në orën 04:00, ka arrestuar punonjësin e Policisë, Komisar Myslym Ismailaj, 55 vjeç, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Punonjësi i Policisë Myslym Ismailaj në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të Ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti dhe ngeli i plagosur shtetasi Petraq Beja.
Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit, ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident Petraq Beja dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas ngjarjes, familjarët e viktimës akuzuan shtetin dhe firmën për mosvënien e sinjalizimeve, pasi makina tip BMË-X6 ku udhëtonin 2 të rinjtë ra në një gropë të madhe të hapur në mes të rrugës. Fillimisht Policia e Vlorës deklaroi se makina kishte rënë në kanal, por më pas pranoi se BMË-ja kishte rënë në gropën e hapur në rrugë.

Gjykata, “arrest shtëpie”për shoferin e BMW-së

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 21-vjeçarin Petraq Beja, i cili drejtonte automjetin, ku u aksidentua dhe humbi jetën kushëriri i tij, Kristi Panajoti. Prokuroria kërkoi arrest me burg për shoferin Beja, si dhe për dy inxhinierët e firmës që po kryente punime në rrugë, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për 21-vjeçarin, duke e lënë në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.
Aktualisht, Beja ndodhet në spital ku do i komunikohet edhe masa e sigurisë. Ai ka pësuar disa dëmtime trupore nga aksidenti si thyrje të hundës, parakrahut dhe pjesës së kockës së legenit.
Po sot në orët e para të mëngjesit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në varësi të Ministrisë së Brendshme arrestoi edhe shefin e Hetimit të ngjarjeve rrugore në Policinë e Vlorës, Myslym Ismailaj, i cili tentoi të devijonte hetimin, duke e kërcënuar 21-vjeçarin Beja të deklaronte se kishte probleme me shikimin.