Trump: Dënime për ata që djegin flamurin amerikan

Presidenti i zgjedhur Donald Trump bëri thirrje për dënime të ashpra ndaj protestuesve që djegin flamurin amerikan, edhe pse Gjykata e Lartë e vendit ka shpallur se kjo është një formë e shprehjes së lirë që mbrohet me ligj.
“Askush, tha zoti Trump në Twitter, nuk duhet të lejohet të djegë flamurin amerikan; nëse dikush e bën, duhet të ketë pasoja, ndoshta humbja e shtetësisë apo një vit burg”.
Presidenti i zgjedhur i bëri komentet pak ditë pas vendimit të një kolegji në shtetin Massachusetts, i cili ndaloi ngritjen e flamujve amerikanë, pas dyshimeve se studentët dogjën një flamur në shenjë proteste ndaj fitores së zotit Trump në zgjedhje.
Në dekadat e fundit, ligjvënësit amerikanë janë përpjekur disa herë të ndalojnë djegien apo përdhosjen e flamurit. Por në vitin 1989 Gjykata e Lartë shpalli se ligjet që ndalojnë djegien e flamurit si formë proteste janë jokushtetuese.