Tjetër ngarkesë droge nga Shqipëria, 1 ton në Katania

Rreth 1 ton marijuanë është zbuluar nga Policia italiane në Katania brenda një rezidence, pronari i të cilës, një shtetas italian është vënë në pranga. Droga, e cila mendohet se në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Përveç pronarit të apartamentit ku ishte fshehur droga u arrestuan dhe pesë persona të tjerë, që sipas autoriteteve italiane janë emra të njohur të trafikut të drogës në vend. Ata kryesisht merren me transportimin e drogës nga Ballkani, dhe më pas ua shisnin trafikantëve të vegjël në Itali. Hetuesi italian Marcelo Kardona u shpreh për mediat se, ky ishte një operacion shumë i rëndësishëm, pasi nuk bëhet fjalë për organizata të vogla italiane, por për persona që punojnë me të tjerë trafikantë jashtë kufijve.
Droga ka mbërritur në 25 nëntor nga Shqipëria në Siçili, ku në vend të trafikantëve, të cilëve do u dorëzohej droga ishin agjentët e policisë që kanë ndjekur çdo veprim. Sipas mediave italiane, të gjithë të arrestuarit janë shtetas italianë.
Autoritetet italiane këmbëngulin se, operacioni i fundit tregon dhe njëherë më shumë lidhjen e ngushtë mes Katanias dhe Shqipërisë për trafikun e drogës. Në nëntor të vitit 2013, në Skordia u sekuestruan 900 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Një vit më pas u sekuestruan 1500 kilogramë marijuanë në një anije.
Ndërsa në 2015-ën janë tre sekuestrimet e bujshme: në muajin shkurt në Spartivento, më pas 1 ton marijuanë në një peshkarexhë në Portin e Ripostos dhe në shtator në kuadër të operacionit “Odisea” i Guardia di Finanza u arrestuan 15 persona dhe u sekuestrua një sasi droge me një vlerë 70 milionë eurosh.
Tre ditë më parë, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1650 kg marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej të tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se,  Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola. “BrindisiOggi” raporton se, pasi roja bregdetare italiane nisi ta ndjekë gomonen arriti ta bllokojë atë dhe në bordin e saj sekuestroi 1650 kg marijuanë dhe një pistoletë me 5 plumba.
Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e ndarë në pako. Megjithatë, shqiptarët kur vunë re ndjekjen nga policia, disa pako i hodhën në det. Nga hetimet e para të policisë rezultoi se, gomonia e tre skafistëve shqiptarë ishte e vjedhur.
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë, tre shqiptarët u përpoqën të largohen, duke u hedhur në det, por u arrestuan. Droga e nisur nga Shqipëria kishte si destinacion, Lombardinë. Vlera e saj në treg është 16 milionë euro.
Gjatë ditëve të fundit është rritur trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak ditësh, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Policia italiane tha se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Sipas hetimeve, droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet trafikut të kanalit të Otrantos. Sulmi “Blic” i Guardia di Finanza u bë në një banesë, ku u gjet një pjesë e drogës, ndërsa pjesa tjetër ishte në kamionin e shqiptarit të arrestuar.

BBC: Shqipëria prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë

“Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisi në Evropë”. Kështu e nis një tekst rrjeti gjigant britanik BBC, i cili paralajmëron publikimin e një reportazhi në radio. Sipas BBC, kjo industri e paligjshme mbikëqyret nga grupet e krimit të organizuar, i cili është përhapur në të gjithë vendin. Shumica e kanabisit siç shkruhet në artikull, shpërndahet në Evropë dhe shumë fshatra mbahen nga kjo industri.
“Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Evropë i kanabisit që rritet në natyrë. Kjo industri e paligjshme, e cila mbikëqyret nga grupe kriminale, nisi nga fundi i viteve 1990 dhe është përhapur gjithandej në këtë vend të vogël të Ballkanit. Pjesa më e madhe e “arit të gjelbër” trafikohet jashtë vendit, dhe fshatra të tërë mbahen me paratë që nxirren nga tregtimi. Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë këtë industri, duke asgjësuar miliona bimë dhe duke sekuestruar sasi të mëdha që janë tharë dhe përgatiten për tregtim në zona të fshehta. Me producenten Albana Kasapi, gazetarja Linda Pressly heton bumin e kanabisit të Shqipërisë”, shkruan BBC.
Reportazhi pritet të transmetohet të enjten më 1 dhjetor në “Radio 4”, ora 11:00 dhe në 5 dhjetor ora 20:30.
Një ditë më parë televizioni publik gjerman, MDR “Mitteldeutscher Rundfunk” e cilësoi Shqipërinë si Kolumbinë e Europës. Një emër ky që Shqipërisë i është vënë edhe nga media të tjera të huaja, për shkak të shtimit të konsiderueshëm të sipërfaqeve të mbjella me kanabis. “Shqipëria kërkon sot të hyjë në BE. Por ka pengesa, si krimi i organizuar dhe trafiku i drogës që janë probleme të mëdha. Veçanërisht, Shqipëria është lider në Europë në prodhimin e kanabisit”, thuhet në lajmin e MDR.
“Shqipëria ofron kushte të mira për kultivuesit e kanabisit. Zonat malore janë të vështira për t’u kontrolluar edhe nga ajri. Është edhe problemi i korrupsionit dhe nepotizmit. Shpesh policia, politika dhe mafia janë në të njëjtën anije”, thuhet më tej në kanalin publik gjerman.
Publikimi i këtij lajmi përkon me takimin e Kryeministrit Edi Rama me Kancelaren Angela Merkel në Berlin. Ai vjen pas kritikave të forta të deputetit Gunther Krichbaum, i cili tha në Tiranë se krimi, droga e korrupsioni janë pengesa për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Shqiptari 100 mijë euro kokainë drejt Zvicrës

Një 36-vjeçar shqiptar u arrestua nga Guardia di Finanza në Como të Italisë, pasi u kap me kokainë që kapte vlerën e 100 mijë eurove. Sipas mediave italiane, shqiptari vinte nga Zvicra në drejtim të Italisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një pjesë të dyfishtë në pjesën e përparme të automjetit. Shqiptari kishte hequr edhe pjesën e airbag-it të pasagjerit, në mënyrë që të rriste kapacitetin mbajtës.
Arrestimi i shqiptarit u krye në mesin e mijëra makinave që vinin nga Europa Veriore dhe që po tentonin të kalonin në kufi. Kontrolli në mjetin e shqiptarit erdhi pas dyshimeve që ai shfaqi tek punonjësit e policisë.
Pas kontrollit të automjetit mbrëmjen e së enjtes vonë, u gjet sasia e drogës e futur me një copë dhe e paketuar në disa shtresa, ndërsa ishte mbështjellë me një shirit të errët ngjitës. Shqiptari u arrestua për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa është dërguar në burgun lokal, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Policia sekuestroi makinën dhe dy telefona celularë. Nëse do ta shiste në tregun me pakicë, shqiptari do të mund të fitonte 100 000 euro, ndërsa lënda narkotike ishte e një cilësie të pastër.
Valixhe me kanabis drejt Greqisë
Një i ri ka përfunduar në pranga, pasi ka tentuar të trafikojë 3 kg kanabis drejt shtetit grek. 30-vjeçari Mario Aliaj nga Fieri, u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës. Ai drejtonte automjetin tip “Benz”, me targa AA 674 GA. Pas regjistrimit në sistemin TIMS nga punonjësit e Policisë Kufitare, mjeti ka kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në bagazhin e mjetit është konstatuar një valixhe, në të cilën kishte disa pako me kanabis. Në valixhe u gjetën 5 pako me kanabis, me peshë totale rreth 3 kg. Këto pako u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.