Titulli për Presidentin, “Nderi i Qarkut Shkodër”

240

Presidenti Nishani mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Këshilli i Qarkut të Shkodrës, me praninë e kryebashkiakes Voltana Ademi, të këshilltarëve shkodranë të Qarkut e të Bashkisë, deputetëve, drejtues të institucioneve shtetërore dhe vendore, përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe intelektualëve të shumtë, ku kryetarja e këtij Qarku, zonja Greta Bardeli i dorëzoi titullin “Nder i Qarkut” me motivacionin: “Për vlerat e larta qytetare që mbart, për kontributin e jashtëzakonshëm në unitetin, progresin dhe paqen sociale të Qarkut Shkodër, si dhe në evidentimin, vlerësimin e mbrojtjen e përpjekjeve të bijve e bijave të Shkodrës në aspiratat e tyre për liri, demokraci dhe dinjitet njerëzor”.
Kreu i shtetit, pasi u shpreh se ky vlerësim dhe nderim i veçantë i bëhej në radhë të parë institucionit të Presidentit të Republikës e më pas atij vetë, vuri në dukje se: “Ndihem shumë i privilegjuar, jo vetëm për faktin që marr një vlerësim të tillë, një nderim të tillë, por mbi të gjitha se po e marr pikërisht nga qytetaria e Qarkut të Shkodrës, nga vlerësimi i njerëzve përfaqësues të popullit të kësaj treve të jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar e kulturor, të përmasave më evidente, të përpjekjeve të jashtëzakonshme që kanë bërë në të gjithë historinë tonë ku figurat dhe personalitetet, familjet e kësaj treve e të këtij qarku kanë qenë gjithmonë të pranishme. Vendosja në peshoren e vlerësimit është padyshim një inkurajim akoma më i madh për mua personalisht, një inkurajim edhe më i madh ndaj parimeve që u kam besuar gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të jetës sime dhe një inkurajim më i madh, se ai besim që kam pasur te parimet, por edhe tek forca që njeriut në radhë të parë i vjen nga Zoti, por edhe nga shoqëria, nga njerëzit, që do të vijojë të jetë gjithmonë një frymëzuese dhe motivuese dhe një bazë shumë e mirë për jetën time personale të përditshme edhe institucionale, por edhe si një qytetar i këtij vendi, si një shqiptar, si njëri prej jush për të merituar këtë respekt, që sot e meriton përtej të qenit President i Republikës”.
“Është kënaqësi për mua që këtë vlerësim po e marr pikërisht këtu në Shkodër, në kryeqendrën më të spikatur të qytetërimit dhe kulturës shqiptare! Në këtë qytet të lashtë, në këtë kryevepër të natyrës, Zotit dhe njeriut, ku gjithkush ndihet edhe më i vlerësuar kur është i rrethuar nga dashuria, respekti dhe përkujdesja juaj, të cilën nuk do ta harroj gjithë jetën! Ju faleminderit! Nuk kam se si të mos emocionohem kur mendoj dhe risjell në mendje se pikërisht nga këto troje kanë dalë ndër shekuj shqiptarë të shquar, të cilët me patriotizëm, dije, kurajë, me besim në Zot e me finesë kulturore kanë vendosur themelet e konstruksionit tonë kombëtar dhe identitetit tonë etno-shpirtëror! Shkodra është për të gjithë ne një histori e ndritur e qytetërimit shqiptar, ku gjenden të gdhendura përjetësisht të gjithë etapat e konfigurimit të një qytetërimi duke filluar më shumë se 2400 vjet më parë e që vazhdon me aq intensitet deri në ditët e sotme. Këtu në këtë trevë, në këtë komunitet, mes këtyre njerëzve e kanë zanafillën shoqatat dhe institucionet e para kulturore, artistike, edhe politike, administrative, publicistike. Dhe kjo nuk ka qenë rastësi. Në sfondin e magjishëm që ofron kjo trevë me liqenin, lumenj, kështjella, male e det kanë zhvilluar jetën e tyre krijuese dhe humanitare personalitete të shquara si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu duke vazhduar me  Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe Martin Camaj apo vëllezërit Marubi, Kol Idromeno, Zef Kolombi, Preng Jakova, Çesk Zadeja, Loro Boriçi dhe shumë idhuj të tjerë të identitetit tonë kombëtar dhe shtetformues. Pikërisht për gjithçka të mrekullueshme e të papërsëritshme që ju, të parët tuaj i keni dhuruar vendit tonë, historisë së kombit tonë, krenarisë sonë kombëtare, por edhe kulturës rajonale, çdo shqiptar nderohet se ndihet përnjëmend krenar për ju dhe aq i vlerësuar kur nderohet nga ju.
Sot më shumë se kurrë edhe unë jam krenar për ju, për Shkodërlocen – siç thuhet jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë, edhe Vlorë e Gjirokastër, por aq më tepër, edhe unë sot ndihem krenar në cilësinë e kryetarit të shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi që kam privilegjin e lartë që të vlerësohem dhe të nënvizohem si një përpjekës, si një njeri që është munduar për të kryer një punë, për të ofruar një dashuri për këtë punë, për të ofruar një dashuri, një mundësi, për të vendosur një copëz gur të vogël në këtë mur të madh të piramidës sonë kombëtare që kemi për të ngritur përpara, prandaj për këtë nderim ju falem nderës përzemërsisht!”, shpreh Presidenti Nishani.