Të ardhurat e vendorëve, 1.4 mld lekë më pak

Reformat e ndërmarra nga qeveria qendrore apo rritja e disa tarifave nga bashki të ndryshme të vendit duket se nuk kanë dhënë efektet e pritshme. Mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor vazhdoi edhe gjatë këtij viti. Referuar të dhënave të treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë 10-mujorit të ardhurat janë realizuar në masën 13 miliardë lekë, ndërkohë, që me Aktin Normativ të miratuar në korrik të këtij viti janë parashikuar 14.5 miliardë lekë. Por edhe pse këto tregues janë më të ulëta se plani, ato rezultojnë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku të ardhurat nga vendorët ishin në vlerën e 10 miliardë lekëve. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, tatimi mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Por, referuar të dhënave, dy janë analizat që mund të bëhen, ose parashikimi është më i lartë se kapaciteti, ose pushtetarët vendorë nuk kanë patur performancën e duhur. Por në gjithë këto vite njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë administruar në mënyrë efikase, çka është reflektuar në treguesit e të ardhurave. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit, ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e një menaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi. Ndërkohë reforma për ndarjen e re administrative të vendit, që tashmë ka hyrë në fuqi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pritej të sillte ndryshime edhe në buxhetet e planifikuara të njësive vendore. Kështu për të rritur të ardhurat nga taksat sidomos ajo e pronës, Bashkia e Tiranës ka nisur ta mbledhë atë nëpërmjet faturës së ujit, çka do të jetë më e lehtë nga ana administrative. Por, prej muajsh tashmë Bashkia e kryeqytetit është në “konflikt” me tregtarët dhe bizneset pasi sipas tyre janë rritur tarifa të ndryshme si ajo e tabelës apo e zënies së hapësirave publike.