Tatimet i “vërsulen” me gjoba militantëve të Partisë Demokratike

Teksa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e parlamentare më 2017, mazhoranca ka nisur të përdorë “kamzhikun” ndaj qytetarëve që kanë bindje të kundërta politike. “Boldnews.al” sjell një denoncim të një qytetari, i cili shprehet se biznesi i tij është përndjekur nga Drejtoria e Tatim Taksave në Tiranë për shkak të qëndrimeve opozitare që ai ka. Çlirim Methoxha shprehet në një intervistë për “Boldnews.al” se është gjobitur disa herë nga tatimet dhe nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor për shkak se ai ishte anëtar i Partisë Demokratike. “Kam kontrolle të vazhdueshme nga Drejtoria e Tatimeve. Pothuajse çdo javë më vijnë në biznesin tim të vogël për të më kontrolluar deri në detaje. Por unë i kam të gjitha dokumentet dhe jam një tatim pagues i rregullt”, thotë Methoxha. Në dokumentet që ai disponon, shihet qartë se inspektorë të tatimeve apo AKU, mësyjnë herë pas here tek ky biznes ushqimor që siguron mbijetesën e familjes. Dyqani që ndodhet tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, është në emër të bashkëshortes së tij Alma Methoxha, por kjo nuk ka ndalur zyrtarët e veshur me pushtet që të identifikojnë anëtarët e Partisë Demokratike. “Në disa raste, inspektorët kanë ardhur 2-3 herë brenda 1 jave dhe kanë pritur që të më kapnin në gabim. Më kanë përndjekur për shkak se unë jam anëtar dhe aktivist në Partinë Demokratike”, shtoi më tej Methoxha. “Lufta” kundër armiqëve të partisë duket se vijon të jetë e trashëguar që nga regjimi i kaluar, por në dallim me atë kohë, sot qytetarët kanë guxim të denoncojnë çdo padrejtësi.