Skandali i presidentes së Koresë së Jugut

Pa përmendur termat e zakonshëm që përdoren në procesin për shkarkimin apo dorëheqjen e Presidentit, presidentja jugkoreane Park Geun-hye shprehu dje vullnetin për t’u larguar nga posti me qetësi. Kjo do të ndodhë, pas miratimit të vendimit nga Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut.
Presidentja jugkoreane Park mbajti një fjalim të shpejtë drejtuar vendit. Ajo tha se do t’ia linte të ardhmen e saj, duke përfshirë dorëheqjen, vendimit që duhet të merret nga Asambleja Kombëtare.
“Do të largohem nga posti, siç e kërkon ligji, me t’u krijuar kushtet për kalimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme; kjo do të minimizonte trazirat dhe boshllëkun që do të krijohej pas vendimit”, tha ajo.
Zonja Park po ashtu përmendi disa kushte të pasqaruara dhe një kohë të pacaktuar për largimin e saj, duke thënë se, “do të largohej nga posti i presidentes sipas një plani dhe procedure ligjore” bazuar tek masat që do të merreshin nga partitë në pushtet dhe në opozitë për të “minimizuar kaosin dhe hendekun në punët e shtetit dhe për transferimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme”.
Profesori i shkencave politike në Universitetin Sungkyunkwan, Cho Wonbin, thotë se komentet e zonjës Park tregojnë se ajo po përpiqet ta zgjasë periudhën e presidencës së saj:
“Duke lënë Parlamentin që të vendosë për kohëzgjatjen e mandatit të saj, presidentja jugkoreane Park Geun-hye mund ta ruajë pushtetin, përmes përfshirjes së ligjvënësve në procesin e vendimmarrjes. Po ashtu, ajo vazhdon t’i mohojë akuzat e ngritura ndaj saj dhe e ka detyruar Parlamentin të nisë një debat lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet tranzicioni. Unë mendoj e kemi të bëjmë me një taktikë për të zgjatur pushtetin”.
Udhëheqësit e opozitës reaguan me skepticizëm ndaj fjalimit të presidentes. Disa mendojnë se kjo mund të jetë një manovër politike për të vonuar procesin e nisur për shkarkimin e saj dhe për të siguruar mbështetje për partinë e saj Saenuri.
Choo Mi-ae, kreu i Partisë Demokratike të Koresë, la të kuptohet se oferta e presidentes për dorëheqje me kusht nuk ka për t’i ndryshuar planet e opozitës për të paraqitur këtë javë një mocion të përbashkët që do të hidhet në votë; Park do të bëhej presidentja e parë në historinë e Koresë së Jugut, ndaj së cilës zhvillohet një proces hetimor, lidhur me akuzat për korrupsion.
Prokurorët thonë se Park është përfshirë në veprime të paligjshme të kryera nga mikja e saj me influencë, Choi Soon-sil dhe ish-ndihmësja Ahn Jong-bum, për t’i detyruar disa kompani të rëndësishme koreane të dhurojnë më tepër se 65 milionë dollarë për dy fondacione.