Si u persekutuan firmëtarët e Pavarësisë

Klodi STRALLA

Ndonëse Deklaratën e Pavarësisë e kanë firmosur vetëm 40 delegatë të Kuvendit Kombëtar më 28 nëntor 1912, ky numër bëhet 79, po të mbajmë parasysh edhe ata që erdhën në Vlorë nga të gjitha viset shqiptare, midis datave 28 nëntor–7 dhjetor 1912, për shkak të situatave shumë të ndërlikuara, kur territoret shqiptare po pushtoheshin me shpejtësi nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke.
Ata janë etërit themelues të shtetit shqiptar, por ende sot nderimi dhe vlerësimi i tyre nuk është i njëjtë për të gjithë shqiptarët, për forcat politike apo prej historiografisë zyrtare. Mesa duket 28 dhe 29 nëntori, edhe pas kaq vitesh, e kanë të vështirë të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.
Nga viti 1912, prej Luftës Ballkanike e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, vdiqën 44 prej delegatëve të Pavarësisë, disa në Shqipëri dhe disa jashtë saj dhe qeveritë e kohës i nderuan ata ashtu si e meritonin.
Nuk patën të njëjtin fat ata që mbetën gjallë, gjatë luftës, por veçanërisht ata që jetuan gjatë regjimit komunist. Në vitet e Luftës të Dytë Botërore (1939-1944) ishin gjallë 35 nga të 79 etërit themelues të shtetit shqiptar;
– Vetëm 4 prej tyre ishin jashtë atdheut: Ahmet Zogu, Syrja Vlora, Dhimitër Mborja (Emanoil) dhe Jani Papadhopulli.
– Pjesa tjetër që ishte në Shqipëri: 17 prej tyre u shpallën kolaboracionistë të fashizmit dhe këta janë: 1) Bedri Pejani, 2) Dervish Biçaku, 3) Dhimitër Berati, 4) Eqrem Vlora, 5) Ferit Vokopola, 6) Lef Nosi, 7) Mit’hat Frashëri, 8) Mustafa Kruja, 9) Petro Poga, 10) Qazim Kokoshi, 11) Qerim Begolli, 12) Qemal Karaosmani, 13) Rexhep Mitrovica, 14) Shefqet Daiu, 15) Sherif Langu, 16) Thanas Floqi, 17) Zihni Kanina.
– Nga këta të shtatëmbëdhjetë, dy u bënë kryeministra në vitet e Luftës së Dytë Botërore (Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica), një u bë anëtar i Këshillit të Naltë (bashkëkryetar shteti Lef Nosi), dy u bënë ministra (Dhimitër Berati, Eqrem Vlora).
Nga këta të shtatëmbëdhjetë, një u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga regjimi komunist më 1945 (Lef Nosi), tre vdiqën në burgjet e Shqipërisë komuniste (Shefqet Daiu më 1946, Sami Vrioni më 1947, Qazim Kokoshi më 1947), një u arrestua nga regjimi komunist shqiptar dhe iu dorëzua serbëve, të cilët e pushkatuan më 1948 (Bedri Pejani), një u pushkatua më 1945 nga partizanët serbë në Pejë (Qerim Begolli), dy vuajtën burgimin komunist (Sherif Langu, Zihni Kanina), shtatë emigruan jashtë vendit për t’i shpëtuar persekutimit komunist (Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqrem Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica).
Këta të shtatë që ishin në emigracion kërkoheshin nga regjimi komunist si kriminelë lufte së bashku me një tjetër nga etërit themelues, Ahmet Zogun.
Ndërsa 14 të tjerë mbajtën qëndrim neutral, por asnjë prej tyre nuk bashkëpunoi me regjimin komunist, as gjatë kohës së luftës, as si pjesëmarrës në Konferencën e Pezës 1942, as në Kongresin e Përmetit 1944 dhe as pas luftës, si deputetë apo ministra të qeverisë së E. Hoxhës, ndonëse komunistët bënë shumë përpjekje që vitrinën e tyre propagandistike për atdhedashuri ta stolisnin me ndonjërin prej tyre.
Fakt shumë domethënës kjo shpërfillje e tyre ndaj pushtetit komunist!

…me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme

Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, pjesa shqip hartuar nga Luigj Gurakuqi dhe pjesa turqisht nga Ismail Qemali dhe e shkruar nga Shefqet Dajiu. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, me këtë përmbajtje:
“Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Perandoria Osmane ra në Luftën e Parë Ballkanike që filloi në tetor të vitit 1912 dhe shqiptarët e gjetën veten në një pozitë tejet të vështirë. Udhëheqësit e tyre ishin më të shqetësuar nga koalicioni i forcave fqinje (Mali i Zi, Serbi dhe Greqi) se sa nga dobësimi i pranisë ushtarake osmane, në vendin e tyre. Ajo që ata donin ishte ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë. Brenda dy muajve, forcat osmane pothuajse kishin kapitulluar dhe vetëm në Shkodër dhe Janinë garnizonet turke nuk ishin dorëzuar. Ekzistenca e vendit ishte e rrezikuar.
Në këto rrethana, delegatët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Kuvendin e Vlorës. Ismail Qemali u kthye në Shqipëri dhe në krye të një asambleje kombëtare prej 83 anëtarësh, shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Në të njëjtën kohë u krijua edhe një qeveri e përkohshme. Pavarësia e Shqipërisë u njoh më 17 dhjetor 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Si u cungua Deklarata e Pavarësisë nga regjimi

Dokumenti u cungua qëllimisht nga regjimi komunist, duke larguar disa nga emrat nënshkrues të dokumentit të rëndësishëm. Kryetarja e Kuvendit i propozoi Presidentit të Republikës dekorimin me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Dom Nikollë Kaçorri, Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Valon Badivuku dhe Lef Nosi. Duke u bërë ndoshta një nga shtetet unikalë në botë që kryente një akt të tillë. Dikush nuk shihej me sy të mirë nga regjimi, dikush, sepse ashtu kishte vendosur kupola e lartë e regjimit apo dikush tjetër thjesht se e ka pasur emrin afër njërit prej atyre që regjimi diktatorial i ardhur mbas vitit 1944, kishte vendosur se ata nuk duhej të ishin pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij kombi, ditës së shpalljes së pavarësisë.

Delegatët e Asamblesë Kombëtare

Berati: Sami bej Vrioni, Ilias bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara)

Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati

Delvina: Avni bej Delvina

Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri

Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Langu

Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Dajiu, Qemal Karaosmani, Dervish bej Biçaku

Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi

Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfit bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli

Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci

Kosova, Gjakova, Plava-Gucija: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit’hat bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku, Zenel bej Begolli, Qerim Begolli

Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo

Kruja: Mustafa Merlika

Lushnja: Qemal bej Mullai, Ferit bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa

Mati: Ahmet bej Zogolli, Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu

Ohri dhe Struga: Zyhdi bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima

Peqin: Mahmud Efendi Kaziu

Përmet: Veli bej Këlcyra, Syrja bej Vlora

Pogradeci: Hajdar Blloshmi

Tepelena: Feim bej Mezhgorani

Tirana: Abdi bej Toptani, Murat Bej Toptani, Ymer Sollaku

Skrapar: Xhelal bej Koprencka, Hajredin bej Cakrani

Shijak: Xhemal Deliallisi, Ymer bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu

Shkodra: Luigj Gurakuqi

Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem bej Vlora

Kolonia shqiptare e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo