Si Rama po i shërben qëllimeve serbe

Ish-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ndër vite.
Ai ka thënë se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, e de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës.
Por, dua të theksoj se marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Kosovë po i dëmtojnë disa qëndrime të bazuara në mentalitete, de-konsiderata të vjetra atërore të Edi Ramës ndaj Kosovës. Për udhëheqjen e vjetër komuniste, të instaluar  në Tiranë  nga Beogradi, që nga themelimi i PKSH nga serbët Popoviçi dhe Mugosha dhe vendosja nga ana e tyre më vonë e Enver Hoxhës në krye të saj, Kosova gjithnjë ishte një çështje e tradhtuar. Shqiptarët, mjerisht nuk njohin historinë e tyre. Nënshtrimi i udhëheqjes politike të Tiranës ndaj Beogradit, u ka kushtuar tmerrësisht shtrenjtë shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Kur shikon disa qëndrime të Edi Ramës që, njëlloj si etërit e tij, ka shndërruar Beogradin përsëri si dikur në Mekën e të majtës shqiptare, nuk mund të presësh asgjë tjetër prej tij, përveçse përçarje në çdo hap. Duke thënë këto, sqaroj se mbështes plotësisht përpjekjet për bashkëpunimin normal midis Shqipërisë dhe Serbisë, natyrisht jo në dëm të Kosovës. Shqipëria në asnjë rast nuk mund të marrë monopolin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke shmangur, anashkaluar Kosovën. Jam i bindur se një qëndrim i tillë u shërben ambicieve dhe qëllimeve serbe, por jo normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Po ashtu, ish-Kryeministri Berisha, ka përmendur edhe arritjet dhe pengesat e tjera në bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
“Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë ecën dhe zhvillohet, por duhet të kishte ecur shumë më shpejt. Ky bashkëpunim është natyral, pra proces i pandalshëm, i parikthyeshëm, por çështja është si të shpejtohet, si të kapërcehen sa më shpejt pengesat në rrugën e këtij bashkëpunimi. Duhet të pranojmë se, pengesa kryesore për këtë bashkëpunim kanë qenë dhe janë:  Së pari, trashëgimia 50-vjeçare komuniste, gjatë të cilës, jo bashkëpunim, por ndarje dhe mosbashkëpunim, ishin ligj. Së dyti, një përpjekje e padrejtë, pas çlirimit të Kosovës, e Komitetit Ndërkombëtar, për të ngadalësuar sa më shumë këtë bashkëpunim. Fakt është se, deri sot, edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, në bashkëpunimin midis dy vendeve në tërësi, nuk ekziston asnjë projekt i përbashkët, i financuar nga komuniteti ndërkombëtar, përveçse linjës së ndërlidhjes energjetike, të projektuar dhe financuar nga qeveria gjermane para vitit 2013, dhe që tani që ka përfunduar po e mban peng Serbia, duke kërkuar në shkëmbim, cenimin e sovranitetit të Kosovës dhe penguar kështu bashkëpunimin rajonal. Së treti, një pengesë e madhe, tejet serioze në bashkëpunimin midis dy vendeve ishte dhe mungesa e infrastrukturës lidhëse ndërmjet dy vendeve. Vetëm pas vitit 2005, u ndërtua infrastruktura moderne rrugore, në të gjitha vend kalimet midis dy vendeve. Por, kjo infrastrukturë rrugore, duhet me çdo kusht të ndiqet nga infrastruktura moderne hekurudhore. Hekurudha Milot-Prizren, apo Tiranë-Prishtinë, duhet të jetë projekti i të gjitha projekteve infrastrukturore midis dy vendeve. Kjo hekurudhë është jetike për dalje të lirë të Kosovës në det për transportin e mallrave. Kjo linjë ka rëndësi të madhe për rajonin, kompletimin e korridorit shqiptar, që është dhe korridori rajonal më fizibël. Me ndërtimin e kësaj hekurudhe, Shqipëria përfiton gjithçka buron nga pozicioni gjeo-strategjik i saj. Korridori shqiptar, hekurudha, autostrada etj, do të shndërrojnë portet e Shqipërisë në portet më të rëndësishme të rajonit tonë”, ka thënë Berisha në intervistën për gazetën “Bota sot”.