Si qeveria po legjitimon grabitjen e oligarkëve

145

Kuvendi miratoi të enjten një pjesë të paketës ligjore, e cila rregullon procedurat e falimentimit të bizneseve private. Kjo paketë ishte përgatitur prej disa kohësh me këmbënguljen e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ligji nevojitet për të kufizuar dukurinë e kredive të këqija, rritja e të cilave po kërcënon prej kohësh qëndrueshmërinë dhe ecurinë e sistemit bankar.
Ligji i ri i falimentimit, nëpërmjet procedurave më të qarta për riorganizimin e një kompanie të falimentuar, i hap rrugë riorganizimit të shumë kompanive me borxhe të këqija.
Ai u mundëson kompanive, të cilat kanë kredi bankare të mëdha të pashlyera, kryesisht kompani ndërtimi, ristrukturimin e borxheve dhe i rikthen ato sërish në treg.
Paketa e ligjeve parashikon ndryshime në Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, ligjin për përmbarimin gjyqësor e privat dhe ligjin e barrës siguruese, çfarë e ndërlikon kuptimin dhe vlerësimin e efikasitetit të këtij ligji.
Vlerësimi nëse ky ligj është i mirë apo i keq mund të kryhet vetën në përfundim të procesit të falimentimit, i cili sot duket shumë i gjatë dhe i vështirë.
Për ta thjeshtëzuar dhe shpjeguar ligjin, më poshtë po shqyrtojmë hapat e procesit të falimentimit dhe si parashikohen ato në ligjin e ri.
Kompania falimenton:
Kur pronari nuk ka mundësi të paguajë punëtorët, furnitorët etj.
Kur kompania ka një sërë borxhesh, ndaj bankave, furnitorëve, punëtorëve, shtetit.
Falimentimi kërkohet nga një prej kreditorëve të kompanisë, i cili nuk arrin dot të marrë paratë e tij.
Për të përfunduar procesin e falimentimit duhet të shiten të gjitha pronat e kompanisë. Kjo shitje në më të shumtën e rasteve sjell të ardhura më të vogla se borxhet e krijuara nga kompania. Pra, dikush nga kreditorët duhet t’i humbë paratë e tij.
Në rastin e riorganizimit të një kompanie, për ta rivënë atë në kushte pune dhe rifutur në treg -qëllimi kryesor është të mos mbyllen vende pune dhe të mos humbet vlera e kompanisë- numri i kreditorëve që duhet të heqin dorë nga paratë e tyre do të jetë më i madh. Pikërisht vendimi se kush duhet të humbasë lekët dhe të mos i marrë më ose të marrë vetëm një pjesë të borxhit është tema e ligjit të falimentimit.
Shpesh, sipërmarrësit bëjnë hile për të mundësuar realizimin e qëllimeve të biznesit ose më keq, për të siguruar para për vete në rast falimentimi. Këto hile mund të kenë pasoja shumë të rënda në procedurat e falimentimit.
Një shembull tipik është heqja e një prone me vlerë të madhe nga inventari i kompanisë. Për shembull, pronari mund ta shesë një pronë me vlerë të madhe tek një person tjetër për një vlerë shumë më të vogël se vlera reale, për të shmangur shlyerjen e detyrimeve ndaj borxhlinjve të tij.
Një shembull tjetër është krijimi i kostove fiktive dhe pagesave fiktive përpara se të ndodhë falimentimi apo regjistrimi i një dege të shëndoshë të kompanisë nën një emër tjetër, duke shmangur kalimin e saj në dorë të borxhlinjve.
Këto sjellje mashtruese, me qëllim fshehjen e kapitalit nga kreditorët, në të gjitha vendet perëndimore konsiderohen krime të rënda. Ato quhen “mashtrim falimentimi” dhe ndëshkohen me dënime të ashpra penale. Për këtë arsye, në botë shumë sipërmarrës të mëdhenj kanë përfunduar në burg.
Rastet e sipërmarrësve Ichann, Madoff, Enron dhe shumë të tjerë janë një dëshmi, se edhe në kohën e kapitalizmit liberal në SHBA, ai i cili kryen veprën e mashtrimit të falimentimit për të shmangur kontrollet parandaluese, dënohet me burg.
Në Shqipëri dihet shumë mirë që shitblerjet e pronave të patundshme, heqja e pasurive nga inventari apo fshehjet dhe falsifikimet në bilancin e kompanive janë gjëra të shpeshta dhe të pandëshkuara. Madje, bankat shpesh përdorin bilancet jo zyrtare të kompanive kur vendosin për financimin e një kompanie. Dihet po ashtu që të gjithë bilancet çertifikohen me shumë lehtësi dhe papërgjegjshmëri nga çertifikues, të cilët nuk ndëshkohen asnjëherë.
Sipas ligjit të ri, të gjitha veprimet si deklaratat e rreme, transferimi apo fshehja e pasurisë me qëllim mashtrimin në procesin e falimentimit cilësohen shkelje administrative. Persona, të cilët kryejnë këtë shkelje ndëshkohen me gjobë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë, pa marrë në konsideratë vlerën e objektit të fshehur apo të hequr.
Kjo do të thotë se nëse i heq kreditorëve legjitimë një të mirë materiale që vlen një milion euro, gjobitesh me 1 500 euro dhe kjo vetëm nëse të kapin: pra, është fitimprurëse dhe pa pasoja të mashtrosh borxhlinj.
Duket se ky ligj nuk është bërë për të mbrojtur kreditorët, por për të ndihmuar personat në prag falimentimi të rimarrin aktivitetin e tyre pa shumë dëme, për t’i dhënë atyre mundësinë të vazhdojnë biznesin me lekët e marra padrejtësisht nga të tjerët, duke zaptuar tregun dhe duke e tërhequr atë gjithmonë e më shumë drejt humnerës.

“Exit.al”