Si biznesi 360 milionë euro i lojërave të fatit ka kapur Ramën

16 kompanitë kryesore, që janë subjekt i lojërave të fatit, kanë qarkulluar zyrtarisht rreth 120 milionë euro gjatë vitit 2015, sipas të dhënave të deklaruara në bilancet e tyre dhe fitime prej rreth 20 milionë eurosh. Ky është vetëm deklarimi zyrtar, ndërsa informaliteti në këtë sektor mbetet shumë i lartë dhe vlerësohet të arrijë në 70%. Vetë operatorët “zbulojnë” një pjesë të këtij informaliteti kur në shkresën dërguar Kuvendit, i kërkojnë shtyrjen e hyrjes në fuqi edhe me një vit të ligjit të ri të lojërave të fatit, pohojnë se “të ardhurat nga ky sektor për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si dhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”. Kjo shumë është e përafërt me xhiron e deklaruar zyrtarisht, ndërsa ajo reale vlerësohet të jetë tre herë më e lartë, teksa këto kompani nuk punojnë me bankat. Pikërisht ligji i ri duhet të formalizonte llogaritë e tyre duke disiplinuar deklarimet nëpërmjet regjistrimit online të lojtarëve dhe automateve të lojërave të fatit. Por, kjo nuk u arrit. Subjektet e lojërave të fatit po ushtrojnë presion mbi Kuvendin, duke e detyruar atë që të shtyjë deri në vitin 2018 detyrimet e tjera që rrjedhin nga ligji i ri i lojërave të fatit që u miratua kohë më parë. Gjashtë deputetë të mazhorancës kanë çuar në Kuvend një projektligj të ri që kërkon shtyrjen e zbatimit të ligjit edhe për dy vite të tjera. Edhe më herët, miratimi i ligjit ishte shtyrë për gati dy vjet.

Kompanitë kryesore dhe fitimet e larta

Ndonëse 2015-a ka qenë një vit pa kampionate të rëndësishme botërore apo europiane, kompanitë e lojërave të fatit kanë arritur të mbajnë nivele të larta të ardhurash. Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, Top Bast, Apex-Al, Astra Albania sh.a., Adriatic Game, Top Start ishte rreth 72 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel si më 2014-n, duke zënë rreth 60% të tregut zyrtar të lojërave të fatit.
Operatori më i madh në këtë segment këtë vit ka kaluar Top Bast, që ka arritur të ruajë ritme të larta rritjeje, me 22%, në rreth 2.3 miliardë lekë.
Të ardhura pothuajse të njëjta në rreth 2.3 miliardë lekë ka raportuar dhe APEX-AL, që pas tkurrjes me rreth 3.5% ka kaluar në kompaninë e dytë më të madhe të aktiviteteve të lojërave të fatit në vend.
Astra Albania është operatori i tretë më i madh, me të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh dhe tkurrje prej 6% me bazë vjetore.
Adriatik Game dhe Top Start kanë deklaruar rënie të qarkullimit vjetor përkatësisht me 9.6% dhe 4.4%.
Disa prej kompanive raportojnë norma fitimi të larta, ku më fitimprurësja është APEX-Al, që në vitin 2015 kishte një normë fitimi para taksave prej 45%, duke u renditur ndër 10 kompanitë me norma më të larta të fitimeve në vend. Edhe operatorë të tjerë deklarojnë norma fitimi të larta, midis 25 dhe 40%. Vetëm tre prej operatorëve në këtë sektor deklarojnë humbje, ku performancën më negative e ka Lotaria Kombëtare.

Shtyrja e ligjit

Në relacionin e 6 deputetëve thuhet se: “Duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të Ligjit 155/2015 deri më datën 31 dhjetor 2018.
Ligji i ri i lojërave të fatit përcakton kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.
Ndër kategoritë e lojërave të fatit që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj janë edhe “Kazinotë”, “Lotaria kombëtare”, “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”. Ligji nr. 155/2015, në dispozitat e tij kalimtare, njeh të drejtën e organizatorëve të kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri më datën 31 dhjetor 2016.
Sa u takon kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, Ligji nr. 155/2015 në dispozitat e tij kalimtare parashikon fillimin e afatit të vlefshmërisë së licencës së tyre sipas kategorisë përkatëse, nga hyrja në fuqi të tij dhe parashikon për këto subjekte detyrimin për të përshtatur organizimin dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij deri më 31 dhjetor 2016.
Sipas ligjit ka qenë detyruese për të respektuar distancat për sallat e basteve. Por ky parashikim i dhënë nga ligji është i pamundur të zbatohet për kohëzgjatjen e periudhës tranzitore, për shkak se kontratat e qirave, që këto subjekte kanë nënshkruar, janë për një afat më të gjatë se vetë periudha e parashikuar nga neni 71 i ligjit. Për të shmangur këtë kontradiktë, shtyrja e afatit, njëkohësisht ndikon edhe në shmangien e konflikteve gjyqësore ndërmjet palëve në lidhje me respektimin e afateve kontraktore.
Gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji janë evidentuar një sërë problematikash. Subjektet kanë hasur vështirësi në lidhje me përmbushjen e kërkesave të ligjit brenda afatit 31.12.2016, të parashikuar në nenin 71 të ligjit në fuqi. Gjithashtu, vonesa e daljes së akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka krijuar një ngërç në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve ose në rastin më të keq, bllokimin e veprimtarisë së tyre. Njëkohësisht me propozimin e paraqitur kërkohet shfuqizimi i pikës 1 të nenit 71 të ligjit. Kjo për faktin se parashikimi i kësaj pike bie ndesh me parashikimet e pikës 2, pasi rezulton se shoqëri të licencuar për këto lojëra fati kanë një afat të përfundimit të licencës përtej 31.12.2016, ndërkohë që pika 2 bie ndesh me pikën 1, duke krijuar një kaos në treg dhe shteg për interpretime subjektive.
Ministria e Financave argumenton se, duke shfuqizuar pikën 1 të nenit 71, rezulton të kemi një afat të vetëm kohor për vlefshmërinë e licencës për ushtrim veprimtarie. Ligji në fuqi për lojërat fatit, mundëson edhe zhvendosjen e lojërave të fatit si aktivitet ekonomik për t’u ushtruar në hotele me 5 yje apo në resorte turistike. Duke parë situatën konkrete në të cilën ndodhemi, kur këto hotele apo resorte ende nuk janë ngritur dhe kërkojnë minimalisht një periudhë 3-4-vjeçare për t’u ndërtuar, me qëllim ruajtjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit kërkojmë të shtyhet afati i parashikuar nga neni 71 i ligjit. Këto të ardhura për buxhetin e shtetit në total (tatime, taksa, kontribute direkte, si edhe pagesat në thesar e shpenzimet e tjera të aktivitetit në favor të të tretëve, pra të ekonomisë) janë afërsisht rreth 125 milionë USD në vit”, përfundon relacioni.