Sekuestrohen 10 kg drogë nga Shqipëria në Janinë

287

10.6 kg marijuanë janë sekuestruar në kufirin greko-shqiptar, në afërsi të fshatit Eleusa, në Janinë, raportuan dje mediat lokale. Ndërsa një rumun është shpallur në kërkim. Nën drejtimin e një automjeti, shoferi nuk iu bind sinjalit të policisë për të ndaluar. Gjatë ndjekjes nga policia, drejtuesi i mjetit hodhi një çantë brenda së cilës u gjetën 10 pako me 10 kg e 600 gramë marijuanë. Pas kërkimeve, policia gjeti edhe makinën e braktisur. Rezulton se droga ishte futur në shtetin grek nga Shqipëria, ndërsa drejtuesi i mjetit është shpallur në kërkim.

Drogë nga Shqipëria në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy shqiptarë në fshatin Lluzhan të Podujevës, njëri shqiptar nga Kosova dhe tjetri shqiptar nga Shqipëria me tri valixhe dhe dy thasë të mbushur me 50 kg marijuanë. Policia e Kosovës njoftoi se, më datë 31 tetor 2016, ka ndërmarrë një operacion kontrolli në fshatin Lluzhan KK Podujevë. Gjatë kontrollit të makinave është ndaluar një makinë me targa vendore, të cilën e ngiste një mashkull me kombësi shqiptare.
Pas kontrollit të makinës janë gjetur tri valixhe dhe dy thasë najloni të zi me 45 paketime, të cilat ishin të mbushur me substancë të dyshuar narkotike marijuanë, me sasi rreth 50 kg. Më pas është arrestuar edhe një mashkull nga Shqipëria, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.
Është konfiskuar substanca e mësipërme, katër telefona celularë dhe vetura “Audi” me targa vendore me të cilën është kryer transporti i marijuanës.
Personat e arrestuar janë A.B., lindur më 1975, dhe E. C., lindur më 1967. Me vendim të prokurorit kompetent të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.