Rikthehet Cikalleshi, titullar dhe gol te Basaksehir

Sokol Cikalleshi rikthehet në protagonist. Sulmuesi shqiptar ishte lojtari që vulosi fitoren 1-0 të Istanbul Basaksehir, në fushë e Yeni Amasyaspor në Kupën e Turqisë. 26-vjeçari që u aktivizua në formacionin titullar të ekipit nga Stambolli për herë të parë prej muajit gusht, realizoi rrjetën e vetme të sfidës në minutën e 73-të.
Kontroll i shkëlqyer i topit në zonë dhe më pas qetësia e një bomberi, që për muaj me radhë ka pritur me qetësi rastin e tij për ta dërguar topin në rrjetë. Pas festës së golit, sulmuesi shqiptar u zëvendësua në minutën e 81-të të ndeshjes së Grupit F, në turin e dytë të Kupës së Turqisë. Ky ishte goli i parë sezonal për Cikalleshin, me kuqeziun që në këtë sezon ka vuajtur mungesën e hapësirave te Istanbul Başakşehir, me vetëm 64 minuta të luajtura në kampionat.
Kavajasi u aktivizua si titullar në javën e parë të Superligës turke më 21 gusht në suksesin 1-0 përballë Fenerbahçe-s. Në kampionat sulmuesi luajti si zëvendësues edhe pak minuta në barazimin 2-2 përballë Osmanlıspor-it më 24 shtator. Prej aty që anashkalim i gjatë nga trajneri Abdullah Avcı, që në javët e fundit e kishte dërguar edhe në tribunë.
Por, me aktivizimin në Kupë dhe golin e parë të shënuar në Turqi prej majit të kaluar, në fitoren 2-1 në fushën e Eskişehirspor, Sokol Cikalleshi tregoi që mbetet aty. Gati për të konfirmuar cilësitë e tij sa herë t’i jepet rasti dhe pse jo për të ndihmuar Başakşehir-in kryesues në Superligë, drejt ëndrrës për të fituar titullin kampion.