Revolta e qytetarëve për deputetët e inkriminuar

Kureshtja i shtyu për të parë nga afër sallën e “betejave” parlamentare, por qytetarët nuk e kursejnë fjalorin për të zgjedhurit e tyre. Pritshmëritë për përfaqësimin në Parlament mesa duket nuk janë të duhurat ndaj dhe në librin e përshtypjeve epitetet janë nga më të shumëllojshmet.
BalkanËeb ka mundur të zbardhë disa prej mendimeve të qindra qytetarëve, të cilët vizituan pasditen e sotme sallën e seancave plenare në kuadër të festave të 28-29 Nëntorit. “Hajdutë, kriminelë, trafikantët më të bukur që ka patur ndonjëherë populli. Jeni dele të udhëhequra nga një gomar” shkruan një i ri. Dikush tjetër preferon të japë një këshillë: “Ashtu siç është kjo sallë e bukur dhe plot kulturë, duhet të jenë dhe deputetët që gjer tani nuk e meritojnë ketë sallë”.
“Vend shumë i bukur për të mbajtur plehrat me radioaktivë të këtij populli mjeran. Pastë fatin tonë”, shkruan dikush tjetër.
Sot është dita e dytë kur në kuadër të festave të nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë ka pritur qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Zyra e shtypit ka shoqëruar vizitorët duke i informuar mbi funksionimin e Parlamentit.