Reflektim nga Samiti i Diaspores

Naim HASANI

Në fillim të muajit shtator 2016 mora një e-mail në lidhje me atë që më vonë do të bëhej një ndër eventet më të përfolura që do të zhvillohej në Shqipëri më në fund për diasporën. Për mua ishte një gjë sensacionale që një qeveri në Shqipëri organizonte për të parën herë një samit për tërë mërgatën shqiptare jashtë atdheut.
Me shumë kënaqësi e pranova ftesën dhe si të gjithë të tjerët bëra të gjitha përgatitjet e duhura për të marrë pjesë dhe salltanetet nuk kishin të sosur. Shumë e-mail dhe programe pompoze nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që të bënte të mendoje a po shkonim në Shqipëri apo USA, sepse fushata elektorale ishte në kulmin e saj.
Mezi prisja që të takoja përfaqësuesit e vërtetë të diasporës shqiptare, nga gjithë bota e sidomos Vatrën Shqiptare të Amerikës së largët, që janë shpirti dhe zemra e mërgatës shqiptare me rol të padiskutueshëm e të pamohueshëm në historinë moderne të kombit shqiptar.
Prisja…… e çfarë nuk prisja nga vendi amë nga qeveria e vendit tonë.
Sapo mbërrita në Tiranë bashkë me miqtë e mi, e gjetëm kryeqytetin të zbukuruar si radhë herë. Pas takimit me miqtë e mi drejtues të degës së Partisë Socialiste në Britani, për të cilët kam respekt të plotë dhe me të cilët ndamë gëzimin e pjesëmarrjes në samitin e parë të diasporës, në natën e parë të samitit, me pritjen që na u rezervua në Pallatin e Brigadave nga Kryeministri i Shqipërisë, realiteti shqiptar që vetëm bashkim nuk mund të prodhojë, u bë prezent dhe i dha diasporës mësimin më të shëmtuar që mund të jepte shteti shqiptar.
Perceptimi dhe organizimi i pritjes dhe për fat të keq i të gjithë samitit, për mendimin tim nuk ishte asgjë tjetër veçse një prelud i fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe udhëheqësit legjendar, “babait të kombit”, lartmadhërisë së tij Zotit Kryeministër i Shqipërisë.
Samiti i Diasporës duhej të ishte një simbol i unitetit kombëtar dhe i përfaqësimit të inteligjencës shqiptare nëpër botë dhe ishte turp e vetëm turp, që ne të gjitha pritjet dhe aktivitetet e organizuara mungonte simboli i unitetit të kombit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani dhe lideri i opozitës zoti Lulzim Basha si dhe përfaqësues të opozitës shqiptare.
Ndarja dhe përçarja ishte evidente dhe pa dashur të fyej asnjë pjesëmarrës, ngjyrimi socialist ishte i dukshëm dhe nga samiti diaspora, për mua ky eveniment që mund të përcillte mesazhin e shpresës dhe të bashkimit e të ngjallte shpresën e diasporës shqiptare në botë, fatkeqësisht ishte asgjë më shumë se një Kongres i Partisë në pushtet.
Nuk kishte asgjë të bënte me diasporën, e cila u dërgua nëpër vendet e tyre në mbyllje të samitit, me thënien e Kryeministrit se ne duhet të flemë të qetë tani e tutje, se ai do të mendonte për ne dhe hallet tona.
Por në të vërtetë përse u bë gjithë kjo jehonë dhe ky samit kishte pushtuar mediat shqiptare të qeverisë dhe nuk pati shqiptar në Shqipëri që nuk e dinte se ne kishim ardhur nga diaspora për samitin.
Ku janë hallet më të mëdha të shqiptarëve? Në diasporë? Në Shqipëri? A kishte nevojë Shqipëria për një eveniment të tillë, apo thjesht për t’i bërë jehonë Kryeministrit dhe pushtetit të sotëm, për të prezantuar një realitet virtual të dirigjuar aq mirë, sa gati më ngjante me organizimin e kongreseve të partisë së dikurshme ku zëri ndryshe dhe papajtues me partinë nuk ekzistonte fare.
Një miku im gazetar shumë i talentuar i njerës nga gazetat më të mëdha në UK, zoti Petrit Kuçana, si i ftuar nga diaspora donte t’i bënte një pyetje të vetme Kryeministrit, (ndoshta edhe për ta falënderuar për salltanetin që na ishte bërë, ku çdo gjë e kishim të përballuar me forcat tona, përveç ftesës për të marrë pjesë), edhe pse insistoi të fliste dhe ju dha mikrofoni pas shumë mundimesh, sapo filloi të flasë regjia ja fiku atë të shkretë mikrofon, ndoshta nga frika se mos na dilte ndonjë demokrat dhe na e “lëndonte” Kryeministrin shpirtërisht. Ndjej keqardhje për këtë xhest të pakedhem ndaj kolegut dhe mikut tim zotit Kuqana. Një veprim i ngjashëm u përsërit edhe me zotin Lutfi Vata të cilit nuk ju dha mundësia të fliste edhe pse disa herë e kërkoi mikrofonin.
Pushteti e kishte organizuar samitin e mërgatës jo për të mërguarit për show elektoral, ku vetëm diaspora nuk kishte asnjë lloj roli veçse për të duartrokitur e brohoritur Rroftë Vasali. Më vjen keq, por ky samit si filloi ashtu edhe përfundoi “Nonsense”.
A kishte nevojë Shqipëria dhe shqiptarët për një samit të tillë de facto Socialist? Shumë qytetarë të thjeshtë shqiptarë, socialistë e demokratë, kur bisedoja për samitin e diasporës, vetvetui ngrinin pyetjen përse keni ardhe juve këtu? Siç duket qeveria i ka zgjidhur të gjitha hallet e shqiptarëve në Shqipëri dhe jemi të gjithë të lumtur dhe ju thanë juve të diasporës të vini se mos merrni pak shembull nga lumturia jonë kanabisianë?
Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një rizgjim total të ndërgjegjes sonë kombëtare, pa dallim bindjeve politike, një unitet të plotë pozitë-opozitë, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë dhe të kemi një strategji të plotë kombëtare për diasporën, të vetdijshëm për fatet e kombit dhe situatën mjerane që po kalon sot Shqipëria, ku çdo sekond rinia shqiptare mendon se si të largohet nga vendi dhe të mos kthejë më sytë nga toka nënë që e rriti.
Mirëqenia dhe atdhedashuria janë të lidhura ngushtë me të ardhmen e shqiptarëve dhe klithmat e rilindjes të tre viteve më parë, që tashmë janë fshirë nga kujtesa e pushtetit të sotëm, kane sjellë një zhgënjim total të rinisë dhe popullatës që jeton në Shqipëri, që si 25 vite më parë, e shikon shpresën e vetme tek largimi nga trojet e veta drejt Perëndimit.
Nëse Kryeministri e do vërtetë vendin, duhet të kthejë sytë dhe të shikojë se në fund të mandatit mund të mos ketë më elektorat t’i shkojë mbrapa dhe se Rimindja e tij po e bën të gjithë popullin shqiptar “diasporë”!
Më vjen keq që isha pjesë e një fasade të orkestruar në mënyrë perfekte nga pushteti i sotëm që injoroi diasporën e vërtetë. Gjatë këtyre ditëve më vinte shpesh në mend ajo thënia e rëndomtë, që e kanë provuar në kurriz shqiptarët “sa gjëra bëhen në emrin tënd o popull”!
Diaspora është ajo që i paraprin ndryshimit dhe ajo që nuk ja ka nevojën pushtetit në Shqipëri, prandaj unë nxjerr vetëm një konkluzion nga kjo eksperiencë tre ditore në samit. “Lum neve çfare na thanë. Mjerë neve çfarë pamë”!
E gjithsesi ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që takuam shumë shokë e miq që nuk i kishim parë ndër vite dhe pas kaq kohësh Tirana na bëri bashkë dhe nxorëm mallin me shoqërinë e vjetër.

Avokat në Mbretërinë e Bashkuar