Reagim i PD për TEC-in e Maliqit: Një minë mjedisore për Korçën

Dega e PD Korçë ka reaguar dje kundër ndërtimit të TEC-it në Maliq, pasi sipas saj, ky TEC do të kthehet në një minë mjedisore për të gjithë Korçën. “Prej një viti qeveritarët, midis të cilëve edhe numri dy i saj, Niko Peleshi po bëjnë të gjitha përpjekjet dhe çdo presion të mundshëm, për të kaluar në Komisionin e Posaçëm parlamentar, projektligjin, që parashikon ndërtimin e një vepre energjetike që do të shfrytëzojë si burim energjie, torfën e fushës së Maliqit, njofton dega e PD-së së Korçës nëpërmjet një deklarate për shtyp nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ledina Alolli.
“Nga ndërtimi i TEC it të Maliqit, do të shfrytëzohen 157 milionë m3 torfë, e cila, është një lëndë fosile helmuese, me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Ndërtimi i kësaj vepre energjetike, për të cilën qeveria nuk ka bërë as transparencën minimale do të shkatërrojë në mënyrë përfundimtare, një sipërfaqe prej 290 ha tokë bujqësore, duke e kthyer atë në një terren minerar”, thuhet më tej në deklaratë.
Korça, që deri në fillim të viteve ’90 vuajti pasojat e jashtëzakonshme mjedisore dhe jo vetëm të TEC-it, që punonte me qymyr guri, tani do t’i duhet të rikthehet pas në kohe, për të vuajtuar pasoja akoma më të rënda, nga një tjeter vepër energjëtike që më shumë se sa dritë do të prodhojë ndotje alarmante mjedisore, gazra helmues dhe hirin, po aq të rrezikshëm që do të mbetet nga djegia e torfës.
“Zv/kryeministri Niko Peleshi, me përpjekjet dhe presionin që po ushtron për të miratuar ndërtimin e një TEC-i, teknologjia e të cilit daton një shekull e gjysëm më parë po ju tregon korçarëve dhe shqiptarëve, se interesat e tij të paligjshme e kanë çuar në derën e grupeve kriminale të Europes Lindore”, përfundon Alolli.
Para tre ditësh, intelektualë dhe ambientalistë së bashku me Departamentin e Mjedisit në PD kërkuan ndaljen e projektit të TEC-it që do të përdorë torfën e Maliqit. Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike organizoi një konsultim të hapur me publikun në qytetin e Korçës në lidhje me projektligjin për të kthyer 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerale për përdorimin e torfave të Maliqit për prodhim energjie në TEC me kapacitet 500 MW.
Torfa është mbetje natyrale e kënetave, e cila pas përpunimit për energji çliron lëndë helmuese, më e dëmshme se dioksidi i karbonit. Për këtë arsye dhjetëra intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile në Korçë, Maliq dhe Devoll shprehën pakënaqësi në lidhje me këtë projektligj, i cili është kaluar pa asnjë transparencë për publikun. Eshtë mbajtur i fshehtë për këshillat bashkiake të Maliqit dhe të Devollit.