Ranieri kërkon më tepër nga kampionët

Claudio Ranieri i nervozuar me futbollistët e tij. Titulli kampion i fituar në sezonin e kaluar duket se është një ëndërr që duhet mbajtur mend gjatë, pasi Leicesteri i këtij sezoni nuk ka aspak lidhje me skuadrën e vitit të kaluar. Trajneri i Dhelprave, nuk është aspak i kënaqur me paraqitjet që po bën ekipi i tij, duke shtuar këtu dhe faktin që ata ndodhen vetëm 2 pikë larg nga zona e rënies nga kategoria. Italiani u ka kërkuar kampionëve në fuqi të Anglisë të japin maksimumin për të kaluar këtë moment delikat.
“Atë çka arritëm sezonin e kaluar është diçka për të cilën historia do të na kujtojë. Sigurisht që futbollistët janë qenie njerëzore dhe jo makineri. Jemi një skuadër që ka element cilësorë dhe një pozicionim të tillë në tabelën e klasifikimit nuk mund t’ja lejojmë vetes. Prandaj duhet të bëjmë çmos që ta kalojmë këtë moment aspak të mirë”, u shpreh Ranieri. Momentalisht Leicester City ndodhet në vendin e 14 në tabelën e klasifikimit me vetëm 13 pikë. Në pesë javët e fundit, skuadra nuk ka arritur asnjë fitore.