Pse Hillary Clinton meriton që të futet në burg….

Sikur Donald Trump do të donte vërtet ta padiste Hillary Clinton, këtë gjë duhet ta bënte lidhur me Fondacionin Clinton, një instrument diabolik, thonë shumë, që përdor filantropinë për të pasuruar çiftin Clinton dhe “donatorët” e tyre.
Bëhet fjalë për një instrument që funksionon jashtëzakonisht mirë në vendet e dëshpëruara, me infrastruktura të kufizuara, më mirë akoma nëse janë viktima të katastrofave natyrore, si puna e Haitit. Fondacioni futet në flukset e ndihmave dhe i devijon ato në favor të donatorëve të mëdhenj. Me pak fjalë, filantropia bëhet qëllim fitimi.
Pas tërmetit të Haitit, Digicel, një biznes irlandez në pronësi të një miku të Bill Clinton, miliarderit Denis O’Brian, përfitoi financime publike për t’i dhënë telefona celularë popullsisë së prekur nga USAID for Food and Peace. Fondi në fjalë administrohet nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilin në atë kohë e drejtonte Hillary Clinton. Digicel u shpërndau haitianëve celularë falas të paguar nga taksapaguesit amerikanë dhe në shkëmbim siguroi kontrata për përdorimin e tyre. Çdo herë që dikush i përdorte për të bërë një thirrje apo për të transferuar para, ia paguante shërbimin Digicel. Brenda vitit 2012, kompania në fjalë kontrollonte më shumë se tri të katërtat e tregut të celularëve në Haiti. Ndërsa kompania e tij negocionte marrëveshjet për telefoninë, O’Brien i siguronte çiftit Clinton tri kontrata për konferenca në Irlandë për 200,000 dollarë secila. Në periudhën midis viteve 2011 e 2012, O’Brien i dhuronte edhe 5 milionë dollarë Fondacionit Clinton. Pakogjë, krahasuar me 45 milionë dollarët që siguroi falë çiftit Clinton nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar pas tërmetit një hotel me 5 yje në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit!
(Loretta Napoleoni për “Il Venerdi”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA