Protesta kundër manipulimeve të Soros

Dawn CHMIELSWSKI

Investitori miliarder Xhorxh Soros u bë shënjestra e protestuesve që mbështesin Donal Trumpin, të cilët kanë filluar të organizojnë protesta kundër financuesit kryesor të demokratëve dhe që e konsiderojnë si kontribues të trazirave civile në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Investitori i lindur në Hungari, një hebre i cili i ka mbijetuar pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që ka investuar 12 miliardë dollarë të pasurisë së tij për çështjen e të drejtave të njeriut nëpër botë, ka qenë prej kohësh kundërshtar i konservatorëve për mbështetjen që ka treguar për disa kauza progresive.
Këto kritika arritën kulmin që pas zgjedhjeve presidenciale kur votuesit e Trumpit akuzuan se dora dhe mbi të gjitha portofoli i Sorosit, ishte financuesi kryesor i protestave antiTrump që u zhvilluan në vend disa ditë pas zgjedhjeve. Natyrisht, kjo është një akuzë që Fondacioni Open Society, i financuar nga Sorosi, e mohon.
“Ka shenja të qarta që tregojnë se Sorosi po dërgon grupe të ndryshme për të krijuar kaos dhe trazira civile pa asnjë arsye legjitime”, ka thënë Rochelle Winthe në Los Angeles që po qarkullon informacione në mediat sociale që tregojnë se Sorosi është duke promovuar urrejtjen përmes protestave. “Nuk e kuptoj se çfarë të mire mund të sjellë kjo për vendin”.

Urrejtje në mediat sociale
Sorosi është diskredituar publikisht në platforma të ndryshme të mediave sociale si Twitter dhe Instagram. Ai u bë shënjestra e një fushate të organizuar në shumë e shumë cepa të internetit, ku anëtarë të ndryshëm të grupeve antiSoros kanë premtuar se do të vazhdojnë një fushatë të egër për të ekspozuar publikisht “të gjitha kokat e hidrës me emrin Xhorxh Soros”.
Anëtarë të nëngrupimit Reddit janë zotuar se do ta vendosin Sorosin pas hekurave dhe po planifikojnë të zhvillojnë protesta masive kundër tij përpara zyrave të Sorosit në Manhattan tek “Soros Fund Management” dhe në zyrat e New Yorkut dhe Baltimorës të grupit të financuar prej tij, “Open Society Foundations”.
Fondacioni Open Society thotë se nocioni që Sorosi është duke financuar protestat antiTrump është tërësisht i sajuar, por gjithashtu thotë se me gjithë këto protesta të organizuara nga kaq shumë grupe të ndryshme, është e mundur që disa grupe të mbështetura prejt tij të jenë përfshirë nëpër protesta.
“Ka pasur shumë raporte të sajuara për sa i përket aktivitetit të Xhorxh Sorosit dhe Fondacionit Open Society, duke thënë se kanë financuar protestat që kanë shpërthyer pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Këto raportime nuk kanë asnjë bazë të vërtetë”, thotë Chris Stone, president i fondacionit. “E vetmja iniciativë që jemi shfaqur të gatshëm të financojmë në lidhje me këto zgjedhje është kundërpërgjigjja ndaj krimeve të urrejtjes”.
Fondacioni Open Society është zotuar këtë javë që do të shpenzojë 10 milionë dollarë për të luftuar krimet e urrejtjes. Organizata pretendon se shpenzon rreth 500 milionë dollarë në vit për të mbështetur grupet që promovojnë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe drejtësisë, përfshirë këtu edhe fonde të ndryshme për të dokumentuar dhe përmirësuar praktikat e Departamentit të Policisë dhe për të forcuar grupet globale të promovimit të trajtimit të virusit HIV.
Një përfitues i këtyre fondeve, organizata e lajmeve investigative jo fitimprurëse ProPublica, ka qenë partner i “USA TODAY” gjatë natës së zgjedhjeve presidenciale për mbulimin e zhvillimeve. Anëtari i bordit Gannet, Stephen Coll, dekan i Universitetit të Kolumbias për degën e gazetarisë, është kryetar i bordit të programeve amerikane në Open Society.
Komentatori konservator, Michelle Malkin, e përshkruan Xhorxh Sorosin si qendra e gravitetit të financimit të kauzave progresive në të gjithë botën për vite e vite me radhë. Raportimet e shumta që e përshkruajnë miliarderin si pararoja e liberalëve të pasur, të cilët janë zotuar se do të luftojnë administratën e presidentit Trump që në ditën e parë, kanë kontribuar në kthimin e tij në shënjestrën e protestave. “Është e qartë se Sorosi do të rikthehet në rolin e tij të drejtimit të opozitës së liberalëve dhe ata i kanë bërë të qarta qëllimet e tyre”, thotë Malkin. “Ata duan të jenë kundërshtuesit kryesorë të administratës së Trumpit. Ndoshta prej tyre burojnë të gjithë këto trazira”.

Kundërpesha e vëllezërve Koch
Kjo nuk është hera e parë që Xhorxh Soros portretizohet si rrënja e të gjitha të këqijave. Financieri është i njohur botërisht si “burri që falimentoi Bankën e Anglisë” për shkak të basteve të tij tepër të larta në vitin 1992 për të zhvlerësuar paundin britanik. Përmes spekulimeve të tij mbi monedhën britanike, Xhorxh Sorosi ka korrur një fitim prej 1 miliard dollarësh.
Sorosi hyri në radarin e republikanëve gjatë ciklit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004, kur u shfaq si kundërpesha kryesore ndaj financuesve miliarderë të GOP-it, vëllezërit Koch. Ai shpenzoi mbi 24 milionë dollarë në kontribute politike për grupet demokrate në përpjekje për të mundur kandidatin e atëhershëm George W. Bush, sipas kërkimeve të Qendrës “Responsive Politics”.
Drejtuesi konservator televiziv, Glenn Beck dikur e ka përshkruar aktivitetin e Xhorxh Sorosit në seri të tëra dokumentarësh prej 1 ore në vitin 2010. Në to Sorosi shfaqej si “mjeshtri i kukullave”, i cili manipulon grupe të ndryshme interesi, Partinë Demokratike dhe Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama. Beck sugjeroi gjithashtu se Xhorxh Soros ka qenë edhe bashkëfajtor gjatë Holokaustit.
Një emision radiofoni me audiencë të gjerë kombëtare i drejtuar nga teoricieni konspirativ, Alex Jones, i cili e ka quajtur një mashtrim të madh masakrën në shkollën fillore Sandy Hook, e etiketoi këtë javë Xhorxh Sorosin si “imazhin e ligësisë” dhe shfaqi një intervistë prej 60 minutash ku flitej gjerë e gjatë për rolin i etij si bashkëpunëtor nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, një rol i kundërshtuar ashpër nga biografi i Sorosit, Micheal Kaufman.
“Xhorxh Sorosi ka dedikuar jetën dhe pasurinë e tij për të promovuar drejtësinë dhe të drejtat e njeriut përreth botës”, tha zëdhënësi i Sorosit, Michael Vachon, në kundërpërgjigje të akuzave të lëshuara kundër miliarderit. “E djathta politike është ajo që ka favorizuar teori konspiracioni dhe narrativa tërësisht të pavërteta për të përhapur propagandën e tyre të sajuar”, përfundoi ai.

Protestat antiTrump
Xhorxh Sorosi u rikthye në qendrën e vëmendjes dhe në disa raste, në epiqendrën e urrejtjes dhe mllefit, disa ditë pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump. Agjencia e lajmeve “Breitbart” nisi të gjithë aktivitetin kundër tij kur tërhoqi vëmendjen me një deklaratë për shtyp nga MoveOn.org, e cila i nxiste të gjithë amerikanët që të ngriheshin më 9 nëntor duke kundërshtuar presidentin e zgjedhur për “fantatizmin, ksenofobinë, islamofobinë dhe misogjininë e tij”.
Një ditë më pas, faqet në internet si “The Free Thought” nxituan menjëherë ta lidhnin Xhorxh Sorosin me trazirat civile, duke theksuar se MoveOn.org prej kohësh merr financime të majme nga Fondacioni Open Society. MoveOn, e cila njihet në rang kombëtar për peticionet online dhe organizimin publik, tha se ishte angazhuar me organizimin e protestave, por vetëm për një ditë, jo të tjerat.
Detektivët privatë që kanë dalë nga komuniteti i mbështetësve të presidentit Donald Trump në Reddit, pretendojnë se kanë zbuluar diçka të rëndësishme. Nën emërtimin “I kapëm!”, një anëtar i grupit The_Donald pretendon se ka zbuluar prova të pakundërshtueshme në Craiglist të disa grupeve jo fitimprurëse që kanë paguar protestat kundër presidentit Donald Trump.
Një tjetër faqe interneti, Infowars, e publikoi të njëjtin raport investigativ më 14 nëntor nën titullin: “Provat, protestat antiTrump përdorin protestues profesionistë të paguar nga Xhorxh Soros”. Pretendimet janë të gjitha të sajuara, sipas grupeve jo fitimprurëse, të cilët janë renditur nga Inforwars si të financuar nga Xhorxh Soros. “Përpara se të arrinim të asimilonim atë që po ndodhte, filluan të na vinin telefonata nga më të ndryshmet. Kemi pasur ngacmime nga më të ndryshmet, madje edhe tri kërcënime me vdekje. Kishte shumë njerëz që na telefonin vetëm për të kërcënuar dhe ofenduar”, thotë Rosalind Brazel.
Donald Trump ka qenë ndër të parët që kanë vënë në dyshim autenticitetin e demonstratave që u zhvilluan menjëherë pas zgjedhjes së tij si president i Shteteve të Bashkuara, duke i etiketuar të gjithë demonstruesit që dolën nëpër rrugët e Amerikës si “protestues profesionistë dhe të paguar”. Akuzat për protesta falso kanë dalë në pah atëherë kur njerëzit dolën nëpër rrugët e Austinit të Teksasit, që mendohej se ishin nxitur nga fotografi të ndryshme të shpërndara nga protestues të paguar.

Mbështetja financiare për zgjedhjet
Kontributet e majme të Xhorxh Sorosit kanë shkuar për një super PAC të quajtur ndryshe “Fitorja e votuesve emigrantë”, që i dedikoheshin rritjes së votuesve hispanikë që mendohej se do të bënin diferencën kryesore në shtetet fushëbeteja të këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe për një përpjekje tjetër ligjore për të mbrojtur të drejtën e votës në këto shtete kyçe të rezultatit zgjedhor. Këto kontribute i kanë ushqyer së tepërmi perceptimet e njerëzve se pasuria e Xhorxh Sorosit është përdorur në përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Sorosi kontribuon gjithashtu në fushata specifike zgjedhore, siç është mbështetja financiare për të bërë të mundur dështimin e sherifit të Arizonës, Joe Arpaop, sipas regjistrave të financimit të fushatës. Dhe nuk janë vetëm konservatorët radicionalë ata që dyshojnë për influencën e lumit të parave të financimeve politike të Xhorxh Sorosit, thotë komentatori Malkin.
Edhe votuesit që iu bashkuan fushatës antisistem të kandidaturës fillestare të senatorit të Vermontit, Bernie Sanders. “Qytetarët janë skeptikë të influencës që ushtrojnë donatorët e mëdhenj në politikën amerikane – qoftë ai Xhorxh Soros në të majtë apo vëllezërit Koch në të djathtë”, thotë Mason Harrison, veteran i fushatave presidenciale të guvernatorit Mitt Romney dhe të senatorit John McCain, i cili punon për firmën Crowdpac të Sillicon Valley që monitoron donacionet politike. “Kjo është arsyeja përse po shikojmë një ndryshim të madh me donatorët e vegjël gjatë këtij cikli zgjedhor. Amerikanët kërkojnë që t’u rikthehet demokracia e dikurshme”.

“USA TODAY”

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI