Prokuroria i drejtohet Apelit ndaj ILDKP-së për zyrtarët e korruptuar

Prokuroria ankimon në Gjykatën e Apelit, 7 vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, që rrëzoi vendimet e Prokurorisë për sekuestrimin e regjistrave dhe serverit qendror të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. ABC News ka mësuar se Task-Forca e Prokurorisë, ka kundërshtuar në Gjykatën e Apelit 7 vendimet e firmosura nga gjyqtari Julian Haxhiu, i cili pranoi kërkesën e ILDKPKI-së për shfuqizimin e vendimeve të sekuestrimit të të gjitha dosjeve. Sipas akuzës, për llogari të hetimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të ILDKPKI-së për akuzën e mosveprimit në rastet e konstatimit të konfliktit të interesit, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e regjistrave dhe serverin e plotë të këtij institucioni, ku ndodhen deklaratat e pasurisë, e të gjithë zyrtarëve që i ngarkon ligji për vetëdeklarim. Këto materiale, thotë Prokuroria, është e nevojshme të sekuestrohen për të parë nëse zyrtarët e ILKDPKI-së kanë kryer detyrën apo kanë abuzuar me të, duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Por ky qëndrim i Prokurorisë u rrëzua nga Gjykata e Tiranës, e cila ndër të tjera thotë se, Prokuroria nuk mund të sekuestrojë të gjithë serverat dhe regjistrat fizike të ILDKPKI-së, pasi e kalon në kolaps këtë institucion. Gjykata thotë se, në rastin e nisjes së këtij hetimi, Prokuroria ende nuk e ka identifikuar faktin penal dhe objekti është shumë i gjerë, çka për Gjykatën, Prokuroria duhet të identifikojë fakte konkrete që mund të përbëjnë fakte penale. Pra veprime apo mosveprime konkrete të funksionarëve konkrete të ILDKPKI-së që kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës.
Sipas Gjykatës, nga ana e Prokurorisë nuk ka asnjë indicie të qartë dhe të plotë në lidhje me çështjen penale dhe autorët e mundshëm të tij. Në të 7 vendimet që mbajnë firmën e gjyqtarit Haxhiu, thuhet se mosidentifikimi i fakteve konkrete nga Prokuroria sjell një hetim të ç’organizuar, konkluzion ky i nxjerrë nga numri i lartë i vendimeve për sekuestrimin e materialeve në ILDKPKI. Për këto konstatime të Gjykatës, Prokuroria ka shprehur pakënaqësinë e saj, duke ankimuar të 7 vendimet në Gjykatën e Apelit.
Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e dokumentacioneve konkrete, sekuestrimin e regjistrit fizik të procedurave të “kontrollit të konfliktit të interesit” dhe atë të “kontrollit të plotë” si dhe sekuestrimin e të dhënave të ruajtura në serverin qendror të sistemit kompjuterik të ILDKPKI-së.
Organi i akuzës mësohet se, do të verifikojë veprimet e kryera nga inspektorët e ILDKP-së për verifikimin e pasurisë së ligjvënësve Valentina Leskaj, Rakip Suli dhe ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima. Burime nga Prokuroria e Tiranës bënë të ditur se, janë sekuestruar dosjet e dy deputetëve dhe një ish-deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, në zyrat e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.
Burimet pranë organit të akuzës bënë të ditur se, Prokuroria ka sekuestruar dosjet individuale të deputetes Valentina Leskaj, deputetit Rakip Suli dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima, të cilit Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin. Sekuestrimi i dosjeve të tyre, mësohet se është bërë për llogari të hetimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së, duke mos përjashtuar hetimin edhe ndaj kryeinspektorit të përgjithshëm Shkëlqim Ganaj.
Burimet thonë se, me sekuestrimin e këtyre dosjeve, do të verifikohet nëse inspektoriati i ILDKPKI-së, ka kryer kontrolle për ligjin e konfliktit të interesit në dosjet e tre të zgjedhurve. Prokurorët thonë se, subjekt i këtij hetimi nuk janë deputetët apo deklaratat e tyre të pasurisë, por vetëm pjesa nëse zyrtarët e ILDKPKI-së kanë kryer detyrën, duke verifikuar nëse deputetët kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit.
Sipas akuzës, hetimi është përqendruar te mosveprimi i zyrtarëve të lartë të ILDKPKI-së në kontrollin e këtyre dosjeve, pasi tre deputetët u dërguan në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se ata dhe pjesëtarët e afërm të familjes kanë shkelur ligjin e konfliktit të interesit, me pretendimin se kanë përfituar fonde publike në kohën që ata mbanin detyrën e deputetit.