Priten emërimet e reja të kabinetit Trump

Amerikanët janë në pritje të emërimeve të tjera që do t’i japin formën përfundimtare kabinetit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës, Michael Bowman ritmi i njoftimeve për poste të reja ra disi për shkak të festës kombëtare të falënderimeve, por pritet të përshpejtohet sërish gjatë kësaj jave.
Asnjë prej emërimeve të zotit Trump nuk po prodhon kaq kureshtje sa ajo për sekretarin e Shtetit. Në garë për t’u emëruar si kryediplomati amerikan është një prej njerëzve besnikë të zotit Trump.
“Nuk do të diskutoja kurrë për politike apo çfarë ai do të zgjedhë ose jo ditën e falënderimeve. Dhe mbase nuk do ta diskutoja fare”, thotë Rudi Giuliani ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut.
Pjesë e garës është dhe një prej kritikëve më të fortë të zotit Trump gjatë fushatës.
“Mendoni për cilësitë personale të Donald Trumpit, arroganca, babëzia, mburrja, paragjykimi ndaj grave, një teatër absurd”, ka thënë ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney.
Disa prej njerëzve të afërt të zotit Trump e kanë shprehur hapur dhe qartë pakënaqësinë ndaj zotit Romney.
“Kjo është festa e zotit Trump, ai fitoi shtete që Mitt Romney i humbi. Fitoi Miçiganin, Mitt Romney e humbi. Do të kisha dashur që Mitt Romney të ishte po aq kritik ndaj Hillary Clintonit”, tha për rrjetin televiziv “ABC”, Kellyanne Conway zëdhënëse e Donald Trumpit.
Një prej kundështarëve të zotit Trump thotë se ka besim tek ekipi që ai ka përzgjedhur deri tani.
“Jam i inkurajuar prej këtij ekipi, fokusi i tyre. Jam i inkurajuar prej planit të tyre për të vepruar në mënyrë agresive në 100 ditët e para, për të hequr barrën fiskale mbi bizneset e vogla dhe për të krijuar vende pune. Këtë duhet të bëjë një president”, tha për “ABC” senatori republikan, Ted Cruz.
Zoti Cruz tha se republikanët s’duhet të kenë asnjë droje të ecin përpara me axhendën e tyre pas ceremonisë së përurimit të presidentit të ri.
“Kemi një mandat për të ndryshuar vendin. Republikanëve u është dhënë mundësia, u është dhënë kontrolli i Shtëpisë së Bardhë, çdo degë të ekzekutivit, të dyja dhomat e Kongresit. Duhet të prodhojmë rezultat”, thotë senatori republikan, Ted Cruz.
Progresistët ndërkohë i kanë bërë thirrje zotit Trump të qëndrojë i vendosur në ato fusha për të cilat gjatë fushatës nuk ishte dakord me Partinë Republikane sikurse ruajtja e sistemit që mbron të moshuarit dhe të varfërit.
Gjatë garës për president Trump tha se, “unë jam republikani i vetëm që nuk do të shkurtoj sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Disa njerëz në Partinë Republikane duan të bëjnë shkurtime masive në buxhetin e sigurimeve shëndetësore. A do ta mbajë ai premtimin?”, tha për “ABC News” senatori i pavarur, Bernie Sanders.
Ndërsa zoti Trump pritet të përfundojë emërimet për kabinetin e tij në javët që vijnë, me qindra emërime të niveleve më të ulëta do të bëhen pas betimit të tij më 20 janar.