Presidenti Nishani në Vlorë, uron 104-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti Bujar Nishani ishte dje në Vlorë për të uruar 104-vjetorin e Pavarësisë. Në Vlorë, aty ku 104 vjet më parë u ngrit flamuri kuqezi, është përkujtuar në një ceremoni zyrtare Dita e Pavarësisë, ndërsa reshjet e shiut nuk u ndalën për asnjë çast. Presidenti Bujar Nishani ka ngritur në mënyrë simbolike flamurin në Sheshin e Flamurit në Vlorë.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, Nishani dhe zyrtarë të tjerë të lartë zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Por urimin Presidenti Nishani zgjodhi t’ua përcillte shqiptarëve nëpërmjet Facebook-ut.
“Gëzuar Festën e Flamurit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane”.
Dita e Pavarësisë është përkujtuar me festime dhe aktivitete të shumta në të gjithë botën kudo ku jetojnë shqiptarë.