Presidenti mbledh Këshillin e Sigurisë për drogën më 11 nëntor

190

Deklaratën e bërë të martën për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën e kanabisit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka zyrtarizuar, duke vendosur orën 18:00 të 11 nëntorin, si kohën e mbledhjes.
Në një shkresë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kreu i shtetit sqaron se synimi i takimit është këshillimi dhe informimi me anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbi situatën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në territorin e Republikës së Shqipërisë, nisur nga informacionet zyrtare të agjencive ligjzbatuese, të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, informacionit publik dhe rezultateve të publikuara nga organizmat ndërkombëtare.
Presidenti kërkon të dijë nga aktorët përgjegjës të institucioneve shtetërore se cilat janë shkaqet që erdhëm deri këtu dhe si do të jetë perspektiva e luftës ndaj këtij fenomeni, që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Axhenda e takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare parashikon raportimin e ministrit të Brendshëm, drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të prokurorit të Përgjithshëm.
Kryeministri Edi Rama ironizoi me deklaratën që Presidenti bëri të martën për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Ai tha se duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit. Teksa Kryeministri e bën të dyshimtë pjesëmarrjen e tij, në këtë mbledhje pritet të jetë kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë edhe ministri i Brendshëm, ai i Jashtëm, i Mbrojtjes, i Financave dhe i Transporteve, kreu i SHISH, kryeprokurori e drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Gjatë vizitës në Shkodër dy ditë më parë Presidenti njoftoi se shumë shpejt do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Është një fenomen serioz që ka marrë përmasa kombëtare. Për shkak të marrjes së këtyre përmasave dhe shqetësimit që tashmë është jo vetëm nga agjencitë ligjzbatuese të inteligjencës të vendit, por edhe ato partnere, unë së shpejti kam vendosur që të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar në lidhje me problematikën dhe mënyrën se si ne duhet që ta përballojmë këtë sfidë serioze në vendin tonë”, u shpreh kreu i shtetit Bujar Nishani.