Prapë beton tek liqeni, prerje pemësh për fusha regbie të Erit

Nga Artan Rama

Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit, një njësi autonome në varësi të Bashkisë së Tiranës, ka njoftuar zhvillimin e një tenderi me një vlerë prej 10,533,264 (dhjetë milionë e pesëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, pa TVSH, për ndërtimin e disa fushave sportive brenda hapësirës së Parkut të Madh të Liqenit Artificial!
Më saktë, në hapësirën në krahun perëndimor, që kufizohet prej varrezave të ushtarëve britanikë dhe obeliskut të Debatikut, në krahun lindor të tij!
Ende pa u mbushur viti nga ndërtimi i këndit të lodrave, një tjetër ndërhyrje në park, këtë herë madje, në zemër të tij!
Kjo ndërhyrje parashikon, në një kohë të shkurtër, ndërtimin e një fushe futbolli, një fushe regbie, një basketbolli dhe një volejbolli!
Projekti përfshin gjithashtu, ngritjen e një sistemi qarkues pankinash për spektatorë, si dhe vendosjen e Info Point për të komunikuar me qytetarët.
Ndërtimi i një infrastrukture mbështetëse, për të siguruar një sistem ndriçimi e mirëmbajtjeje, është parashikuar në funksion të kompleksit të ri sportiv.
Një tjetër fond shtesë konsulence, prej 271,930 (dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë) lekë pa TVSH, është parashikuar si shpenzim gjatë zbatimit të projektit.
Megjithëse vënia e këtij fondi për mbikëqyrje në dispozicion të të tretëve e vendos superBashkinë në një pozicion qesharak, për shkak të pamundësisë për ta kontrolluar vetë nismën e saj, në mënyrë që të kursejë paratë e taksapaguesve, situata, realisht është serioze!
Është hera e dytë, brenda vitit, që Agjencia famëkeqe e Parqeve dhe e Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës tjetërson hapësira të gjelbëra brenda një territori ndaj të cilit publiku ka një ndjeshmëri të lartë.
Në fillim të këtij viti, për herë të parë në historinë e Parkut të Liqenit, u futën fadromat dhe betonieret! Qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që u përleshën me autoritetet, në përpjekje për ta ndaluar këtë ndërhyrje, numëruan qindra ton beton të hedhur në emër të një këndi lodrash për fëmijë që Bashkia e Tiranës vendosi ta ndërtojë në shkelje të plotë me aktet dhe procedurat ligjore.
Po përpjekja për shkatërrimin e Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës, qëllimi për ta tjetërsuar e për ta shndërruar në një zonë urbane të rëndomtë po vazhdon me ritme të shpejta!
Ende pa u mbyllur viti, ky projekt i ri, të cilin enkas e quajnë “Rikualifikim të Fushave Sportive”… ka vetëm një rezultat: betonizimin e mëtejshëm të kësaj hapësire të gjelbër!
Titulli, “Rikualifikim të fushave sportive” e jo ndërtim të tyre, kur dihet se aty nuk ka kurrfarë fushë të tillë, lind dyshimet se bëhet qëllimisht për të shmangur procedurat e lejeve përkatëse për ndikimin e projektit në mjedis.
Nëse e lexon projektraportin të vjen të qeshësh me qëllimet e tij. Objektivat janë të gabuara, ndërsa të dhënat e fizibilitetit janë mbushur me gënjeshtra!
Po përmend vetëm se çfarë shkruhet në një paragraf: “Të sjellim risi (fushë regbie) në shfrytëzimimin e parkut!”. Dhe më tej shtohet: “Sporti i regbisë në Shqipëri po zhvillohet shpejt dhe ka interes tek të rinjtë!”.
Kështu, nuk është çudi që vitin e ardhshëm të themelohet dhe e para fushë e futbollit amerikan, në teatrin me gurë të bardhë, pranë kishës së Shën Prokopit!
Më tej, në projektraport lexojmë për shtresat e materialeve të ngurta që do të sillen në park…
Beton!!! Përsëri beton. Fusha e basketbollit dhe fusha e volejbollit do të shtrohet me beton, ndërsa e futbollit dhe regbisë, me granil e rërë. Në fushën e basketbollit kemi një shtresë prej 30 cm çakëll dhe 15 cm beton, ndërsa fusha e volejbollit ka dhe një shtresë tartani shtesë prej 2.5 cm që në total rezulton një shtresë prej afro gjysmë metri materiale të ngurta të futura në dhe, shumica e të cilit do të jetë beton.
Fusha e futbollit dhe regbisë do të ketë dy shtresa të ndryshme granili, si dhe një tapet bari me trashësi prej 3.5 cm. Ndërsa bazamenti Info Point dhe pankinat do të jetë beton dhe zhavorr së bashku.
Në ndërhyrje parashikohet gjithashtu, ndërtimi i një rrjeti infrastrukturor ndriçuesish, projektorësh LED, pusetash, si dhe një numër shtyllash metalike me lartësi prej 7.5 m.
Pra, një miniqytezë sportive në zemër të Parkut!
Nuk është kryer asnjë dëgjesë publike dhe të gjitha pretendimet se projekti është fryt i një komunikimi të vazhdueshëm me qytetarët, është fiktiv dhe i pavlerë.
Në fund, çdokush mund të pyesë, jo pa keqardhje. Ç’është ky modifikim? Përse kjo marrëzi e re. Përse kjo këmbëngulje permanente për urbanizimin e të vetmes hapësirë të gjelbër të mbetur në Tiranë? Përse i tërë ky përqendrim vetëm në pjesën historike të bulevardit deri te Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës?
A nuk do të ishte e udhës që zhvillimi të shtrihej përtej, në aksin e ri të sapohapur të bulevardit? Le të zhvillohej Kashari, Paskuqani! Përse gjithçka vetëm në një zonë?
Po ndoshta sepse nuk janë aq të zotë të zhvillojnë një infrastrukturë të re urbane dhe ndoshta, sepse aksioni politik motivohet prej interesash financiare të një grupi gjithnjë e më të vogël të preferuarish biznesmenë që kanë për qëllim të sigurojnë rritjen e të ardhurave në kurriz të infrastrukturës ekzistuese e të së mirës publike.
Sepse kjo ndërhyrje, e cila mund të afrojë disa të rinj të apasionuar pas regbisë për të luajtur në Parkun e Madh, do të largojë përgjithmonë qytetarët e shumtë që sigurojnë prehje në atë pak vend të lirë që ka mbetur ende pa u rrëmbyer.

“Publicus”