Pashk Nika: Policia manipuloi ekspertizën e vdekjes së dy të miturve në aksident

Një qytetar nga Shkodra, Pashk Nika akuzon policinë se ka manipuluar ekspertizën në momentet e para të ngjarjes së aksidentit ku humbi jetën djali i tij, Roland Nika 14 vjeç dhe bashkëmoshatari i tij Klins Gjeka. Ngjarja ka ndodhur më 2 prill 2016, ku Policia e Shkodrës vihet prapa dy fëmijëve të mitur që po ecnin me motor nga fundi i lagjes “Xhabiaj” deri në fshatin Hot i Ri Shkodër, ku fëmijët aksidentohen me pasojë të rëndë për jetën. Fëmijët, drejtuesi i motorit Klins Gjeka dhe Roland Nika, ishin të njohur nga patrullat e policisë dhe kanë ecur me shpejtësi të madhe me motor, po kështu edhe policia pas tyre. Fëmijët i janë frikësuar policisë dhe kanë ndaluar vetëm kur janë përplasur me një makinë civile. Kur i ka parë policia se janë përplasur, policët janë munduar t’i shmangen përgjegjësisë.
-A shkoi policia tek makina e përplasur për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve?
Kur banorët i janë drejtuar policisë se, i morët fëmijët më qafë, policia ka arritur aty për 3-4 minuta, por nuk u dha asnjë ndihmë përveçse vodhi pjesë nga baza materiale që kishin me vete. Ndërsa ambulanca ka mbërritur me vonesë. Policia thotë se  ambulanca erdhi me vonesë 25 minuta, kurse banorët thanë se ambulanca erdhi me vonesë 45 minuta.
Unë akuzoj policinë, se ka manipuluar ekspertizën në momentin e parë të ngjarjes së aksidentit. E kam denoncuar këtë çështje në Prokurorinë e Përgjithshme me të gjitha faktet dhe dokumentet që disponoj.
-Po më pas çfarë ndodhi?
Fëmijët u dërguan në Spitalin e Shkodrës dhe më pas u dërguan me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi ishin në gjendje të rëndë. Ne familjarët erdhëm me urgjencë në Tiranë, dhuruam shumë gjak për shpëtimin e jetës së dy fëmijëve, sepse kështu na u kërkua nga mjekët. Të nesërmen në mëngjes, vjen turni tjetër i mjekëve dhe na kërkuan përsëri të dhuronim gjak për fëmijët, megjithëse ne kishim dhuruar shumë gjak. Ne protestuam, por mjeku na tha: unë s’kam faj tani kam ardhur dhe nuk gjeta gjak, nuk e di se çfare keni bërë mbrëmë, por duhet gjak për të shpëtuar dy fëmijët. Atëherë morëm edhe njerëz të tjerë nga Shkodra dhe plotësuam sasinë e gjakut që na kërkuan.
-Si ishte gjendja e fëmijëve në spital?
Pas dhjetë ditësh, Klins Gjeka vdiq në Spitalin e Traumës si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa djali im, Rolandi vdiq pas 6 muajsh. Ai u përmirësua dhe nga reaminacioni doli në pavionin e Nekrologjisë, ku aty nuk iu afrua më asnjë lloj shërbimi mjekësor, përveçse një skaner, ku unë e kam kërkuar vetë si prind. Djali pati problem me frymëmarrjen dhe kam kërkuar ndihmë tek Ministria e Shëndetësisë, pasi djalin po e çonin drejt vdekjes, ministri Beqja nuk përgjigjej as në telefon as në sms, kam kërkuar në sallën operative në Ministrinë e Brendshme të më nisnin ekspertë të parandalimit të krimit për mjekët që po bënin krim me djalin tim.
Në rrugët e frymëmarrjes, djalit iu arrit ngushtimi mbi 75 për qind, pasi mjekët nuk kishin bërë asnjë kontroll të mëparshëm dhe nuk e vizitonin fare. Unë iu thoja përditë se djali sa vjen e përkeqësohet, mjekët më thonin s’ka gjë është mirë dhe i jepnin shurup. Pasi e bëra problem në media, gjendjen e rëndë të djalit mjekët më thanë se duhet dërguar jashtë shtetit. E nisën epikrizën për në Turqi, por dërgimi jashtë shtetit nuk u realizua. Kur gjendja e dalit mbërriti mbi 80 për qind ky operim u realizua tek klinika private “Kontinental” me shumë sukses dhe djali u kthye përsëri tek Spitali i Traumës. Përsëri e njëjta gjë vazhdoi me mjekët e Neurokirurgjisë, që nuk i bënë asnjë kontroll djalit nga koka, derisa djali vdiq në spital më 26 shtator të këtij viti.
Më datën 30 shtator dërgova një avokat në Spitalin e Traumës për të marrë kartelën e pacientit Roland Nika, pasi u kthye nga Spitali Kontinental, por kartelën e kishin tërhequr me urdhër të mjekut pas denoncimit që unë kisha bërë në media dhe Prokurori. Po këta mjekë po përpiqen edhe tek Mjekësia Ligjore për të manipuluar shkaqet e vdekjes. Në spital nuk u afrua asnjë lloj shërbimi, të gjitha ilaçet i kemi blerë vetë. Ditën e parë na vodhën gjakun që dhuruam, ndërsa ditën e fundit, na vodhën edhe kartelën e djalit.