Ngordhja e diktatorit kuban

Castro e shndërroi Kubën në vendin e parë komunist të hemisferës perëndimore, pasi udhëhoqi revolucionin kuban që rrëzoi nga pushteti presidentin Fulgencio Batista në vitin 1959. Ashtu si Batista, edhe Castro u bë vetë diktator.
Dhjetëra mijëra njerëz përshëndetën hyrjen e tij në Havana, por mijëra të tjerë u arratisën prej shtetit shtypës policor të diktatorit komunist, duke lënë pas në atdheun e tyre ishullor familjet dhe pronat. Shumë njerëz humbën jetën, duke u përpjekur të arrinin në Shtetet e Bashkuara.
Castro e qeverisi Kubën si kryeministër në periudhën 1959-1976 dhe më tej si president në vitet 1976-2008. Ai konsiderohej si kampion i socializmit dhe anti-imperializmit. Castro ishte edhe Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Kubës, nga viti 1961 deri në vitin 2011.
Nën Castron, Kuba u bë një shtet komunist njëpartiak, industria dhe bizneset u shtetëzuan dhe reformat socialiste përfshinë të gjithë shoqërinë. Castro kritikohej për shtypjen e të drejtave të njeriut.
Shtetet e Bashkuara rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Kubën më 20 korrik 2015, por vazhdon të ruajnë një embargo tregtare, ekonomike dhe financiare ndaj ishullit komunist.
Në një libër të botuar rishtazi, “La Vie Cachée Fidel Castro” (Jeta e fshehtë e Fidel Kastros) nga gazetari francez Axel Gylden, nga rrëfimet e Juan Reynaldo Sanchez, (ish-truprojë i Fidel Kastro’s), tregohet historia e parajsës dhe luksit të paimagjinueshëm të udhëheqsit revolucionar kubanez Fidel Kastro. Juan Reinaldo Sanchez, 65-vjeçar, ka punuar për 17 vjet në sigurinë personale të Kastros. Sipas autorit, jeta private e protagonistit të revolucionit kuban, nuk ka të bëjë aspak me jetesën në kushte minimale të një lideri komunist.
Sançez tregon për fytyrat e shumëfishta të Fidel Kastros: në publik, ai revolucionar i kryetarit të kujdesshëm të popullit të tij, i përqendruar mbi luftën ndaj imperializmit dhe i aftë të bëjë për vete me diktatin e tij imponues miliona kubanë mbi rrugën e krenarisë kombëtare. Ndërsa në privat, ishte fytyra e atij njeriu të llastuar nga kapitalizmi, i joshur nga jeta e bukur, nga ushqimet e çmuara, veshjet luksoze, udhëtimet me barkë dhe trajtimeve të vazhdueshme në mënyrë private të fizikut të tij.
Në tipin e tij romantik brenda realizmit socialist, Kastro zotëron një ishull të tërë. Privat dhe i pamundur për të hyrë njeri brenda, veç shpurës së tij. Bëhet fjalë për Cayo Piedra, që ndodhet në jug të Gjirit të Derrave. Siç përshkruhet nga Sanchez, aty u ndërtua një Kopshti i Edenit vend ku “Lider Maximo”, adhuronte të shfaqej në shoqërinë e “Vip”-ve ndërkombëtarë e intelektualë, si shkrimtari i njohur, Gabriel Garsia Markez, i cili ndërroi jetë para pak kohësh.
“Në të kundërt të asaj që thoshte shpesh, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga rehatia e kapitalizmit”, shkruan Juan Reinaldo Sánchez, që përgjatë 17 vjetësh ka qenë truproja e Fidel Castro dhe që tani publikon një libër për jetën private të liderit të revolucionit kuban. Jahte luksoze, dhjetëra rezidenca të shpërndara në të gjithë ishullin, ferma në ishujt karaibian, janë disa nga detajet që nxjerr në dritë libri “Ana e fshehtë e Fidel Castros”, i shkruar në bashkëpunim me gazetarin francez Axel Gyldén. Komandanti u kujdes shumë që të mbante larg vëzhgimeve të kubanëve jetën e tij private. “Ky është sekreti i ruajtur më mirë i Revolucionit”, siguron Juan Reinaldo Sánchez, sipas ekstrakteve të librit. Burri që shoqëroi pothuajse çdo ditë Fidel Castro-n mes viteve 1977 dhe 1994 përshkruan jahtin luksoz të liderit, “Aquarama II”, me katër motorë, që i dhuroi lideri sovjetik Leónidas Breznev. Ankorohej në portin e tij privat të Gjirit të Derrave dhe çdo udhëtim përfshinte një koleksion të tërë, të përbërë nga dy anije të tjera, një prej tyre e medikalizuar (e ndërtuar për të ofruar shërbime mjekësore), një patrullë ushtarake dhe disa aeroplanë në gatishmëri për të parandaluar që komandanti të pësonte ndonjë sulm. Në përgjithësi, “Aquarama II” shërbente për shëtitje të këndshme, por edhe për të shkuar në “Cayo Piedra”, një ishull i vogël që ndodhet në juglindje të Kubës, një “parajsë për milionerë”, në të cilin Castro qëndronte i rrethuar nga luksi. “Fidel Castro ka lënë të kuptohet se, Revolucioni nuk e ka lënë të marrë frymë, nuk i ka dhënë asnjë kënaqësi, që injoronte dhe përçmonte konceptin borgjez të pushimeve. Gënjente”, thotë Sanchez.
Truproja raporton se ai ka qenë me qindra herë në atë parajsë të vogël, ku ishte i ngarkuari për të shoqëruar komandantin gjatë gjuetive të shumta nënujore në thellësitë detare pothuajse të virgjëra. Nëse moti ishte i butë, Fidel dhe gruaja e tij Dalia shkonin pothuajse çdo fundjavë në Cayo Piedra, ndërsa në kohërat me shi komandanti preferonte gjuetinë e rosave në vilën “La Deseada” me vendndodhje në provincën Pinar del Rio. “Në gusht, Castro-t vendoseshin për një muaj në ishullin tij të ëndrrave”, nga i cili lideri shkonte në Havana me helikopter nëse ishte e domosdoshme”, shton ai. Asnjë kuban i zakonshëm nuk mund të shkelte në ishullin e fshehtë të Castros, në të cilën ftoheshin vetëm një grup i vogël të  privilegjuarish, më së shumti të huaj. Reinaldo Sanchez kujton ish-presidentin kolumbian Alfonso López Michelsen, sipërmarrësin francez Gérard Bourgoin, i njohur si “Mbreti i pulave”, pronarin e CNN, Ted Turner, apo diktatorin e Republikës Demokratike Gjermane Erich Honecker. Edhe pse më të zakonshmit e vendit ishin shkrimtari Gabriel Garcia Marquez dhe heroi i revolucionit Antonio Núñez Jiménez. Në një nga këto vizita autori tregon, “Fidel i propozoi “Gabos” të lançohej për të marrë presidencën kolumbiane me mbështetjen e Kubës, por shkrimtari preferonte “të shijonte kënaqësitë e jetës, duke qëndruar rehat larg politikës”.
Atë që nuk e arriti me Garcia Marquez për të pasur një garanci në Kolumbi, e arriti disa vjet më vonë me Hugo Chavez në Venezuelë, thotë Reinaldo Sanchez, i cili siguron se udhëheqësi Kuban gjithmonë ka pasur synim linjën e naftës të atij vendi.
“E dinte që ishte çelësi për të financuar ëndrrën e tij internacionaliste për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara”, shton ai. “Ana e fshehtë e Fidel Castro”, nuk përshkruan vetëm luksin e jetës së diktatorit kuban, por analizon edhe aspektet e tjera të regjimit të tij, dinastisë familjare, të ndjekur nga vëllai i tij Raul. Ish-truproja gjithashtu fokusohet në zakonin që kishte Fidel për të regjistruar të gjithë kolegët dhe miqtë e tij, ose përpjekjet e tij për të përhapur revolucionin në Nikaragua. Reinaldo Sanchez u ndëshkua në vitin 1994, kur kërkoi dorëheqjen dhe daljen në pension. Ai u burgos dhe pas shumë peripecish, arriti të arratisej në vitin 2008-të për t’u bashkuar me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara.
Ish-truproja vendosi të shfaqte të vërtetën me anë të këtij libri, të shkruar nga gazetari francez Axel Gyldén, pasi ai i ndërpreu marrëdhëniet me Kastron dhe ngaqë u burgos, pasi kërkoi të dilte në pension. Ai thotë se u hodh “si një qen” në një qeli burgu dhe u torturua. Pas daljes, ai shkoi të jetonte në Amerikë, si shumë kubanezë të tjerë të vendit të tij.
Autori i librit, Gyldén tha për “The Guardian” se, “kjo është hera e parë që dikush nga rrethi i brendshëm i Kastros, dikush që ishte pjesë e sistemit dhe dëshmitar i dorës së parë për ngjarjet e jetës së udhëheqësit, vendosi të flasë”.
“Ai ka ndryshuar imazhin që kemi krijuar për Fidel Kastron dhe jo vetëm për stilin e jetës së tij, por edhe për psikologjinë dhe motivacionet e tij”, tha ai.
Në vitin 2006, revista “Forbes” e listoi udhëheqësin e Kubës në listën e “udhëheqësve më të pasur të botës”, por Kastro e mohoi raportin. Pushteti i Kastros i kaloi vëllait të tij, Raulit, në vitin 2008, pasi ai u sëmur në 2006-ën. Ai ka qëndruar larg jetës publike vitet e fundit, madje u përhapën fjalë se edhe mund të kishte vdekur. Megjithatë, Kastro është shfaqur me raste, pavarësisht se ka filluar të duket tepër i plakur.