Miku i “Xhabaftëve” armë pa leje, 10 mijë euro dhe jelek antiplumb

Miku i “Xhabaftëve” të Kombinatit kapet me armë pa leje, 10 mijë euro cash, jelek antiplumb dhe një fuoristradë të blinduar. Bashkë me të udhëtonin edhe Julain Daci e Albert Xhabafti, të cilët u proceduan penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të policisë. Xhabafti 44-vjeçar, sipas burimeve të policisë, ka ndërruar mbiemrin duke e kthyer në Kovaçi. Xhoni Asllanaj, 20 vjeç, u arrestua nga policia në Vorë, ndërsa drejtonte një fuoristradë “Toyota”, të blinduar, raporton Tv “Klan”.
Gjatë kontrollit, Asllanaj, sipas policisë mbante me vete një çantë në të cilën kishte një armë zjarri pistoletë me një krehër me 15 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe një shumë prej dhjetë mijë eurosh.
Sipas policisë, Asllanaj njihet si një nga personat më të afërt të Albert Xhabaftit, i cili ndodhej në mjetin e blinduar. Albert Xhabafti, është vëllai i Baki Xhabaftit, i cili u vra më 28 shkurt të vitit 2014, në Vorë kur vetura me të cilën ai po udhëtonte shpërtheu nga një mekanizëm i telekomanduar.