Maskat grabisin dy pika karburanti në Durrës dhe Lezhë

Dy pika karburanti janë grabitur ditën e djeshme nga persona të armatosur dhe me maska në Durrës dhe Lezhë. Bëhet e ditur se, persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur xhiron ditore në një pikë karburanti në zonën pranë Urës së Dajlanit. Burime nga Policia e Durrësit deklaruan se, vjedhja e karburantit ka ndodhur rreth orës 02:00 të natës, por 4 punonjësit kanë njoftuar policinë vetëm në orën 06:30 të mëngjesit.
Autorët kanë hyrë nga ana e pasme e godinës dhe kanë thyer xhamat. Më pas, ata kanë arritur të hapin kasafortën e karburantit dhe të marrin aty një shumë parash. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se maskat kanë arritur të marrin rreth 2 milionë lekë dhe disa tollona nafte.
Punonjësit e karburantit kanë thënë për policinë se nuk i kanë parë grabitësit. Një tjetër detaj i çuditshëm ka të bëjë me faktin se, sipas policisë të gjitha kamerat e sigurisë në momentin e grabitjes ishin të fikura. Ndërkohë që, karburanti ku ka ndodhur grabitja është një nga më të mëdhenjtë në Durrës.
Dyshohet se autorët kanë qenë të mirinformuar se ku ndodheshin paratë. Policia ka kryer të gjitha procedurat hetimore në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje punonjësit e karburantit, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të grabitjes.
Po ashtu, maskat kanë grabitur një pikë karburanti në Lezhë, duke plagosur edhe pronarin e pikës së karburantit. Bëhet e ditur se, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një pikë karburanti në Dajç, në aksin Lezhë-Shkodër. Për të çuar deri në fund aktin e tyre, personave ende të paidentifikuar iu është dashur të përleshen me rojen e karburantit, i cili edhe është qëlluar me sende të forta nga ta.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa gjatë përleshjes me hajdutët ka mbetur i plagosur punonjësi i karburantit, Lekë Përkeçi, i cili është dërguar me urgjencë në spital. Dy grabitësit e maskuar mësohet se, pasi plagosën rojën kanë grabitur edhe një sasi parash dhe janë larguar me shpejtësi. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e grabitësve.