Kryeministër, u ktheve nga pushimet? “Kazanët” po vlojnë!

Silvi BARDHI

Një lajm i keq po shënohet në të gjitha mediat, gazetat, portalet, rrjetet sociale, për të rinjtë shqiptarë. Më shumë se 25 mijë vajza, djem, të sapodiplomuar ose në proces studimi, rrezikojnë të mbeten pa punë. Kjo për shkak të ndryshimeve ligjore të shtetit fqinj, Italisë, të cilat prekin rreth 850 biznese të qendrave telefonike, Call-Center në Shqipëri. Prej 5 muajsh Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian diskutoi ndryshimet ligjore dhe më 24 nëntor të këtij viti, ajo miratoi amendimet, ndërsa Senati Italian pritet shumë shpejt t’i votojë, që do të thotë se ligji do të ketë zbatueshmëri të plotë. Ky ligj do të ketë një ndikim të fortë në Shqipëri, pikërisht në vitet e saj më të errëta të papunësisë dhe varfërisë. Qeveria shqiptare, ndonëse ka dijeni për këtë lajm, i cili godet dhe rrënon mijëra të rinj dhe të reja shqiptare, nuk reagon për të negociuar me autoritetet italiane për të gjetur një zgjidhje të mundshme.
Çfarë propozohet në ndryshimet e këtij ligji?
Kompanitë Call-Center, të cilat operojnë jashtë kufirit të shtetit italian, duhet të deklarojnë origjinën nga vjen telefonata, në të kundërt gjobitet me 150 mijë euro. Duhet të deklarohet emri dhe mbiemri i telefonuesit nga ai telefonon.
Po përse është kaq shqetësuese situata për këto kompani?
Drejtuesit e tyre thonë se, në momentin që klienti kupton se telefonata bëhet nga Shqipëria dhe telefonuesi është shqiptar, atëherë është shumë e vështirë të lidhet një kontratë. Presidentët e bizneseve telefonike shprehen se në këto kushte, kur nuk shihet asnjë reagim, asnjë shpresë dhe asnjë zgjidhje për shpëtimin e biznesit të tyre nga ana e qeverisë shqiptare, ata do të shkojnë automatikisht drejt falimentimit, duke nxjerrë në rrugë më shumë se 25 mijë të rinj dhe të reja. Shumë shpesh, profesioni i tyre është krahasuar me një punë të rëndomtë në shfaqet televizive qeveritare. Në të shumtën e rasteve këta të rinj janë krahasuar me argatë dhe pa të ardhme për jetën e tyre.
Nëse për Partinë Socialiste dhe jolegalizimin e saj, puna në Call-Center është skllavërim, biseda me një S. D., një nëne e një fëmije 5 vjeç, dëshmon të kundërtën.
Ajo më rrëfehet se puna në Call-Center nga një domosdoshmëri i është kthyer në profesion. 32-vjeçarja nga Tirana, e martuar, prej më shumë se 10 vitesh punon në këtë sektor.
“Kur isha ende studente, thotë S. D., e konsideroja si një punë provizore pa e ditur se ajo do të kthehej në një profesion për mua. Për momentin më dukej puna më e përshtatshme dhe në këtë mënyrë mund të mbaja veten, duke mos i peshuar më ekonomikisht familjes sime me të ardhura më se modeste. Kam përfunduar arsimin e lartë dhe sigurisht pas diplomimit si të gjithë të rinjtë me ëndrra të mëdha, kam kërkuar punë si në shtet ashtu edhe në privat. M’i kanë mbyllur dyert në fytyrë ose mbas shpine vetëm me justifikimin se unë isha pa eksperiencë. Kam marrë edhe përgjigje “të këndshme”, pasi i pyesja se ku do e merrja eksperiencën nëse askush nuk më hapte dyert. Përgjigja e tyre ishte: Ke shumë të drejtë, por përse duhet të eksperimentojmë me ty. Gjithsesi unë tashmë e kam krijuar të ardhmen mbi punën në Call-Center”, thotë S. D., e cila thotë se pa pagën e saj, ekonomia e tyre familjare do të ishte rrënim dhe me pasoja shumë më të mëdha.
S. D., thotë se pasi është dorëzuar të kërkojë tjetër punë, e sheh veten të profesionalizuar në këtë sektor, në të cilin ka investuar rreth një dekadë të jetës së saj.
S. D., më tregon një histori të një gruaje rreth të 50-ve, e cila kishte humbur vendin e saj të punës si juriste. Ishte detyruar të kërkonte punë në Call-Center, pasi e shihte si të vetmen mundësi të ardhurash. Pasi u punësua, ajo fitoi një tjetër përshtypje për të rinjtë që punojnë në biznesin telefonik.
“Sa herë që dikush do më flasë keq për Call- Center-at apo të më thonë që është punë koti, kam për t’i kundërshtuar me shpirt dhe për t’i treguar se çfarë lodhje ka këtu brenda dhe sa përkushtim tregojnë për të mbajtur vendin e punës”, ishte shprehur juristja në fjalë.
S. D., thotë se ndryshimet ligjore, të cilat prekin privatësinë e telefonuesit, do të rrezikonin automatikisht biznesin në Shqipëri duke e çuar në falimentim. Shumë të rinj, të cilët punojnë me gjysmë orari, kanë mundësi të vijojnë studimet dhe të sigurojnë edhe të ardhura, pa u rënduar familjeve dhe krijuar kushte më të mira për jetën e tyre.
“Ky lajm është një minë që mund të shpërthejë nga momenti në moment dhe nuk është se kemi një informacion të mirëfilltë mbi të, përveç lajmeve që qarkullojnë, thotë S. D. Sinqerisht nuk pres asgjë të mirë, por si gjithmonë ne shqiptarët jemi mësuar të presim për të parë se çfarë do të ndodhë, duke qenë se jemi të pafuqishëm ta parandalojmë”, përfundon e pashpresë ajo.