Kros: Mund ta mbyll karrierën tek Reali

Toni Kroos mund ta mbyllë karrierën te Reali i Madridit. Mesfushori gjerman, i cili pak javë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me Los Blancos deri në vitin 2022, në një prononcim për mediat gjermane la të kuptohet se, kur të jetë 32 vjeç do t’i japë fund futbollit të luajtur. “Nuk jam nga ata lojtarë që mund të jem pjesë e futbollit deri në moshën 38 apo 39-vjeçare”, nënvizoi 26-vjeçari. Kjo deklaratë e Kroos mund të ngjasojë disi e çuditshme, por 32 vjeç, mesfushori i kombëtares së pançerave do ti mbushë në vitin 2022, periudhë e cila përkon edhe me fundin e kontratës së re që ai ka firmosur me Los Blancos.
Aktualisht, Kroos është i dëmtuar dhe mungesa e tij është një minus i madh për Realin e Madridit, që gjithsesi ka arritur t’i fitojë të gjitha takimet e fundit. Ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm që ka në dispozicion klubi merengues dhe jo më kot nga kontrata e re me Realin, Kroos do të përfitojë më shumë se 20 milionë euro në sezon. Në intervistën e tij, mesfushori gjerman theksoi se, fiziku i një futbollisti mund të lejojë të luash në nivelet më të larta deri në moshën 32-vjeçare dhe viti 2022 ndoshta është ai i duhuri që Kroos t’i japë fund karrierës. Megjithatë, Kroos u tregua gjithashtu realist, duke shtuar se nuk di se çfarë mund të ndodhë pas 6 vitesh.
Ndërkohë, Bastian Schweinsteiger pritet të rikthehet në Brazil, aty ku ngriti edhe trofeun e Kupës së Botës jo për të luajtur me Gjermaninë, por me ekipin e Santosit. Trajneri i këtyre të fundit, Dorival Junior, konfirmoi interesimin për mesfushorin gjerman, i cili ka përfunduar jashtë skuadre te Man. United. Ai shtoi se do të ishte një goditje e mirë për Santosin ardhja e Schweinsteiger teksa ky operacion mund t’i ngjajë atij të Botafogos që afroi Clarence Seedorf pas largimit nga Milani.