Komisioni Europian: Shqipëria nuk është gati për negociatat

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian është kthyer në temën kryesore të aktualitetit politik pas vizitës së Gunter Krichbaum në Tiranë, por edhe pas asaj të kryeministrit Rama në Berlin. Por cila është procedura e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe në ç’fazë ndodhet Shqipëria sot?
Procesi i aderimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë është në fazën e një vendimi politik. Komisioni Europian, në thelb mban rolin e mbrojtësit të interesave të vendeve anëtare në union. Komisioni Europian dorëzon opinionin formal mbi shtetin kandidat pranë Këshillit Europian, i cili e hedh atë në votë.
Në bazë të legjislacionit europian mbi propozimet e Komisionit, sipas traktatit të Lisbonës, element i rëndësishëm është përforcimi i rolit të Parlamenteve të shteteve anëtare të unionit në procesin legjislativ. Për këtë arsye, propozimet e Komisionit Europian i dërgohen Këshillit, Parlamentit Europian njëkohësisht edhe parlamenteve të shteteve anëtare.
Pas mbërritjes së propozimit, i cili për Shqipërinë erdhi në formën e rekomandimit për hapje negociatash me kusht, shtetet anëtare kanë lirinë të japin opinionin e arsyetuar të tyre, lidhur me propozimin e mbërritur në rast se mendojnë se bie ndesh me parimin e shpërndarjes së pushtetit.
Opinioni i Komisionit i jep Këshillit, bazë të fortë për ndërtimin e diskutimit nga krerët e shteteve dhe qeveritë, për të arritur në një vendim politik.
Vendimet e Këshillit nisin një procedurë vlerësimi teknik për të përcaktuar nëse:
• Shteti i ka përmbushur kriteret për t’u konsideruar si kandidat zyrtar për anëtarësim
• Negociatat formale për anëtarësim mund të nisin
• Shteti kandidat mund të aderojë në BE
Vetëm, pasi Këshilli të votojë unanimisht për nisjen e negociatave të anëtarësimit, diskutimet mund të hapen formalisht, duke e marrë si të mirëqenë se shteti kandidat ka përmbushur kushtet themelore. Në kuadër të opinionit të Komisionit Europian, Këshilli mund edhe të vendosë kushtet e tij, të cilat shteti duhet t’i përmbushë përpara çeljes së negociatave.
Samiti i 15–16 dhjetorit nuk do të shohë një vendim për hapje negociatash për Shqipërinë, pasi rekomandimi me kusht i Komisionit Europian dhe qëndrimi i disa prej shteteve anëtare e bëjnë të pamundur një vendim të tillë. Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian do të diskutojnë në 9 dhjetor rreth rekomandimit të Komisionit Europian. Mbi bazën e rekomandimit të Komisionit Europian dhe të diskutimit të ambasadorëve të përhershëm, në 13 dhjetor, ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare do të shprehen mbi pozicionin e Shqipërisë. Burime pranë Këshillit të Ministrave janë shprehur, se është absurde të presësh vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit, kur vetë Komisioni Europian konsideron se vendi nuk është gati. Aq më tepër, duke ditur se shtetet anëtare kanë përgjithësisht rezerva dhe madje në disa raste janë edhe skeptikë mbi rekomandimet e Komisionit Europian. Mungesa e një precedenti ku shtetet anëtare të jenë më optimiste se Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, thekson edhe njëherë pritshmërinë e një diskutimi jo për hapjen apo jo të negociatave për anëtarësim, por për kushtet e vëna ndaj shtetit shqiptar.