KLSH: Lumi Erzen i helmuar nga ricikluesit

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi të posaçëm ka evidentuar se subjektet e industrisë së riciklimit po ndotin lumin Erzen dhe po përdorin ujin e tij jashtë çdo kontrolli të Agjencisë së Basenit Ujor Erzen (ABU).
KLSH ka vënë në dukje se, mungesa e akteve nënligjore, veçanërisht mungesa e miratimit të tarifave për shkarkimet e lëngëta të prodhuara nga trajtimi i ujërave të përdorura industriale, ka ndikuar në mosidentifikimin e subjekteve që kryejnë veprimtarinë e shkarkimeve të lëngëta, sipas përcaktimeve në Ligjin “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
KLSH i ka kërkuar ABU Ishëm-Erzen të marrë masa për të evidentuar subjekte që kryejnë veprimtari të shkarkimeve të lëngëta, të prodhuara nga trajtimi i ujërave të përdorura industriale dhe pas miratimit të tarifave nga organet përkatëse, të ndjekë në vazhdimësi arkëtimin e tyre nga subjektet që kryejnë këtë lloj veprimtarie.
Pas kontrollit është vërejtur se mungon formati TIP për lidhjen e kontratave koncesionare, për rrjedhojë ABU Ishëm-Erzen nuk ka lidhur kontratat përkatëse për përdorimin e ujit nga subjektet sh.a Ujësjellës-Kanalizime Kamëz, sh.a Ujësjellës-Kanalizime Krujë dhe sh.a Ujësjellës-Kanalizime Fushë-Krujë, megjithëse këto janë të evidentuar ndër vite si përdorues të ujit, duke u ngarkuar me debi për mosshlyerje të detyrimeve ndaj ABU-së, veprim në mospërputhje me nenin 14, të Ligjit nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, i ndryshuar (për periudhën deri më 15.12.2013) dhe me pikën 1, neni 41, i Ligjit nr. 111/12, datë 15.11.2012.
KLSH rekomandon që, Drejtoria e Politikave të Burimeve Ujore në Ministrinë e Bujqësisë dhe KBU Ishëm-Erzen në bashkëpunim me ABU Ishëm-Erzen, të marrin masa dhe të ndjekin të gjitha hapat ligjorë, për të bërë të mundur realizimin e lidhjes së kontratave me subjektet sh.a Ujësjellës-Kanalizime Kamëz, sh.a Ujësjellës-Kanalizime Krujë dhe sh.a Ujësjellës-Kanalizime Fushë-Krujë, të evidentuar si përdorues të ujit.
ABU Ishëm-Erzen ka evidentuar një numër të madh subjektesh privatë që përdorin ujin në mënyrë të paligjshme, por rezulton se për shkak të mungesës së akteve nënligjore, nuk është bërë e mundur pajisja e tyre me leje për përdorimin e ujit, sipas përcaktimeve në pikën 1, neni 41, i Ligjit nr. 111/12, datë 15.11.2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” (Trajtuar më hollësisht në faqet 27-34 të raportit përfundimtar të auditimit).
ABU Ishëm-Erzen në bashkëpunim me Drejtorinë e Politikave të Burimeve Ujore, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, sipas rekomandimeve të KLSH-së të marrin masa për të përgatitur dokumentacionin tekniko-ligjor për të gjithë subjektet, që kanë aplikuar për t’u pajisur me leje, duke e dërguar për shqyrtim në mbledhjen më të afërt që do të zhvillojë KBU Ishëm-Erzen, pas konstituimit të saj, për të marrë vendimet përkatëse në përputhje me kërkesat ligjore brenda 2016.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here